Ekonomi

Mete: Më 1 korrik rriten pagat, do të përfshihet dhe pushteti vendor. Garanci për fasonët

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave, Ervin Mete prezantoi sot para Kuvendit ndryshimet e reja në buxhetin 2024, ku tregoi se më 1 korrik 2024 do të nisë rritja tjetër e pagave.

Mete tha se brenda prillit do të finalizohen VKM-të për rritjen e mëtejshme të pagave në shtet, me qëllim arritjen e objektivit 900 euro, ku përfitojnë punonjësit e arsimit, mjekësisë, rendit, mbrojtjes dhe administratës.

"Brenda muajit të ardhshëm pritet që të finalizohen VKM-të që do të detajojnë këto rritje të pagave, që fillojnë nga 1 korriku i vitit 2024. Ky buxhet, parashikon rritjen e mëtejshme të pagave për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qëndrore. Gjithashtu, synojmë të mbështesim rritjen e pagave edhe për punonjësit e pushtetit vendor. Financohet gjithashtu indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët, ku përfitojnë 717 mijë pensionistë”, lajmëroi Mete.

Ministri prezantoi dhe vendimin mbi garancinë e fasonëve duke argumentuar se është domosdoshmëri për rritjen e produktivitetit dhe përballimin e goditjeve nga sektorit.

“Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë, financim i cili pritet të jetë me kushte më lehtësuese sesa ato të kredive tregtare.” tha ministri duke shtuar se Akti përfshin dhe riklasifikimin e financimit të Porto Romanos, nga i jashtëm në të Brendshëm.

Ministri bëri dhe një përmbledhje të performancës ekonomike të 2023-shit duke e përshkruar si ‘shumë të mirë’. Ministri tregoi se konsumi dhe investimet raportohen në rritje, ashtu si edhe tregu i punës.

“Ndjesia ekonomike, perceptimi i biznesit dhe konsumatorit, ka arritur nivele të larta historike. Gjithashtu, tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve sugjerojnë rritje të përshpejtuar.  Ecuria e mirë e ekonomisë është reflektuar edhe në tregun e punës. Punësimi shënoi rritje, ndërsa shkalla e papunësisë në fund të vitit 2023 zbriti në 10.7%, një nga normat më të ulëta historike.  Inflacioni, i kthyer vitet e fundit në një nga çështjet kryesore makroekonomike që me fillimin e luftës në Ukrainë, për ekonominë tonë ka rezultuar ndjeshëm më i ulët sesa në vendet e rajonit apo mesatarja e BE dhe aktualisht, në muajin shkurt, inflacioni zbriti në 2.6%, duke u rikthyer brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë më shpejt sesa parashikimet”, tha ministri Mete.

Ai përmendi turizmin si ndër sektorët me performancën më të mirë, duke parashikuar se do të vijojë të rrisë kontributin në ekonominë e vendit. Mete njoftoi se deficiti i skemës së pensioneve po zbutet dhe se të ardhurat nga kontributet kanë prekur 134 mld lekë.

“Më konkretisht, deficiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8% të PBB-së në vitin 2023, që rezulton edhe niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga 1.93% e PBB-së që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve. Në mbyllje të vitit 2023, niveli i të ardhurave arriti në 643 miliardë lekë, me një realizim me thuajse 100%, edhe me planin e rishikuar në rritje me aktin normativ të dhjetorit. Kjo performancë e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024”, u shpreh Mete nga foltorja e Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë