Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar një paketë ndihme për sektorin e fasonëve prej 4 mld lekësh në formën e një garancie shtetërore. Vendimi u njoftua nga ministri i Financave, Ervin Mete i cili tha se qëllimi është përballimi i goditjeve për këto biznese dhe rritja e produktivitetit. Ndihma për fasonët vjen pak ditë pasi kreu i qeverisë Edi Rama tha se këto ndërmarrje duhet të “përshtaten me normalitetin e ri të ekonomisë”.
“Përmes këtij Akti Normativ po mbështesim një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve të ardhurave si pasojë e faktorëve të jashtëm. Ky instrument synon mbështetjen e këtij sektori nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë”, u shpreh Mete në konferencën pas mbledhjes së qeverisë.
Ministri tha se janë bërë disa rishikime, ndër to edhe për të ardhurat, që pritet të kapin vlerën e 687 mld lekëve, sa rreth 28% e PBB-së.
Mete njoftoi se në aktin e miratuar nga qeveria parashikohet edhe riorganizimi i ministrive, pasi ndryshimit që pësuan pak javë më parë.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave risolli edhe njëherë në vëmendje faktin se ekonomia performoi mirë gjatë vitit të kaluar dhe u shpreh më tej se, në mbyllje të vitit buxhetor 2023, rezulton se treguesit kryesorë makro-ekonomikë patën përmirësime të ndjeshme, duke vijuar një trend pozitiv, që pritet të jetë i tillë edhe gjatë vitit 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.