Taksa

Mete: Lehtësim taksash për të rinjtë dhe prindërit me fëmijë minorenë

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave, Ervin Mete ka treguar disa nga lehtësimet tatimore për të cilat po diskuton qeveria.

Në një takim mbi edukimin financiar, Mete tha se të rinjtë e punësuar deri në 29 vjeç do të kenë reduktim të detyrimeve tatimore si nxitje për punësim.

E njëjta gjë tha Mete, do të ndodhë dhe me prindërit që kanë një apo disa fëmijë të mitur nën kudjes.

“Do të lejojmë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç, sepse sigurisht që dikush që merr të ardhura dhe ka 1, apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim”, u shpreh ministri.

Më tej ai tregoi se me rritjen e ardhshme të pagave, do të jetë sektori i arsimit që do të përfitojë më shumë, me 110 mln euro.

“Me rritjen e pagave që do bëhet në qershor, sektori i arsimit merr mbështetjen më të madhe nga të gjithë sektorët e tjerë, me afro 110 mln euro që shkojnë vetëm për pagat në sistemin arsimor. Rritja kumulative vetëm në 2 vitet e fundit shkon nga 35% deri në 60% për mësuesit. Sigurisht që kjo përkthehet në një edukim më cilësor që është investim për ne në kapitalin njerëzor të të rinjve dhe të qytetarëve të ardhshëm nesër të Shqipërisë”, tha ndër të tjera ministri i Financave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë