Politike

Meta: Zgjedhje më 13 tetor! Nuk kam axhendë “Rama ik”, por “Edi reflekto”

Tre ditë para 30 qershorit, presidenti Ilir Meta shpall datën e re të zgjedhje lokale, duke caktuar 13 tetorin. Pas konsultimeve politike të paradites të së enjtes, me kryedemokratin Lulzim Basha, partitë e djathta, si dhe me ambasadorët e vendeve të BE-së, kreu i shtetit bëri publike lëvizjen e pritshme të nxjerrjes së datës së re të zgjedhjeve lokale. Presidenti kishte bërë ftesë me anë të shkresave edhe kryeministrit Edi Rama për t’u konsultuar, duke i vendosur edhe një afat se deri në ora 13:00 për t’u konsultuar. Por refuzimi i Ramës ishte i prerë.

Pse më 13 tetor?
Presidenti ka dhënë dy shpjegimet se pse zgjodhi 13 tetorin, një datë që shkon përtej sezonit turistik veror. “E para sepse është data më e shpejtë për të organizuar zgjedhje të përgjithshme vendore gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por edhe sipas afateve proceduriale të jenë të përfshirë në procesin zgjedhor. E dyta, sepse, siç e kam thënë në 8 qershor kur zhdekretova datën 30 qershor, që një nga kushtet ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë së integrimit europian të mos shkëputje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në lidhje me çeljen e negociatave”, deklaroi presidenti.

Presidenti në konferencën për shtyp


Këshilli i BE-së pritet të marrë vendim më 17 tetor, e caktimi i kësaj date 13 tetor shihet edhe si mundësi për t’u dhënë mesazh evropianëve se po mbahen zgjedhje sipas standardeve.
Presidenti deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit do të pengonin të ardhmen evropiane dhe se dekretin e firmosur e ka nxjerrë me përgjegjësi dhe është i gatshëm të përgjigjet përpara çdo gjykate dhe në atë Hagës. “Secili të marrë përgjegjësinë, unë e kam marrë përgjegjësinë para gjithë shqiptarëve dhe jam i gatshëm të përgjigjem për këtë akt para çdo gjykate shqiptare dhe ndërkombëtare që ka juridiksion në vendin tonë përfshirë dhe Gjykatën e Hagës, por është vendim i mrekullueshëm që shqiptarët të qetësohen, të reflektojnë edhe ne ta vazhdojmë këtë rrugë që kemi nisur në dhjetor të ’90, se unë jam edhe i Lëvizjes se Dhjetorit dhe pata fatin historik të merrja pjesë në takimin me udhëheqësin e fundit Ramiz Alia dhe mendonim se kishim pak shanse të ktheheshim në Qytetin Studentin dhe mund të përfundonim aty ku kishte përfunduar Pjetër Arbnori. Sot ka nevojë për reflektim nga kryeministri. Edhe Ramizi në fillim të ‘91 e shtyu datën e zgjedhjeve për t’i krijuar mundësi opozitës që të merrte pjesë në zgjedhjet e para pluraliste në vend. Jemi 30 vjet pas dhe duhet të tregojmë se Shqipëria është në nivel tjetër”, theksoi Presidenti.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/453942298734820/

Sinjale që opozita do të marrë pjesë?
Disa herë presidenti përmendi shprehjen se zgjedhjet e 13 tetorit nuk do të jenë me një kandidat, por me emra alternativë, duke nënkuptuar se opozita mund të ketë dhënë garancinë e pjesëmarrjes në këtë proces votimi. Pyetjes së gazetarëve nëse opozita apo dhe vetë Basha ka dhënë garancinë për zgjedhjet e 13 tetorit, Meta iu përgjigj: “duhet t’ju siguroj se nuk mund të detyroj askënd të marrë pjesë në mënyrë të pavullnetshme në zgjedhje, askënd”. “Detyra ime si President i Republikës është t’u jap mundësinë të gjithëve të reflektojnë, të bëhen pjesë e procesit, të heqin dorë nga axhendat e ngushta maksimaliste dhe duke qenë se është objektiv kombëtar i gjithë forcave politike anëtarësimi në BE, të sillemi në mënyrë evropiane, në këto orë, ditë dhe pak muaj që kanë mbetur”, tha Meta. Ai theksoi se ajo që është e sigurt, është se në bashkitë e vendit nuk do të ketë vetëm një kandidat, pasi sipas tij, një proces i tillë është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe parimet evropiane.

“Axhenda ime “Rama Reflekto!” dhe mesazhi “Monika dhe Republika”
Me dekretin e nxjerrë për datë të re zgjedhjesh, Meta ka hedhur “topin” në fushën e mazhorancës, ku tashmë kryeministrit Rama, si lideri i mazhorancës, i duhet të vendosë për hapin e radhës, nëse do të shkojë apo do të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit.
Për këtë Meta ka bërë një apel të fortë ndaj Ramës, duke i kujtuar atij se axhenda, sipas tij, nuk lidhet me opozitën, por me ftesën për të reflektuar në mënyrë që më 30 qershor të mos ketë përçarje dhe ndasi mes shqiptarëve.
“Unë besoj se dhashë shpjegimet e duhura për momentin, edhe ky është moment i ri i panjohur dhe i papritur dhe ende i paasimiluar mirë. Shpresoj në reflektimin e të gjithëve. Axhenda ime nuk është axhenda “Rama ik!” Por më e thjeshtë: "Edi Reflekto!" Nuk i takon atij të jetë protagonist i një të diele ndarëse mes shqiptarëve dhe një provokimi të shtetit paralel”, theksoi Meta.

Presidenti në konferencën e sotme për shtyp


Ndërsa iu përgjigj edhe akuzave që presidenti po mban anën e opozitës, për shkak se edhe bashkëshortja e tij është në kampin opozitar. “Më vjen shumë keq për reagimin e tij, por nuk humbas asnjë moment qetësinë, unë nuk e kam për turp që jam burri i Monikës dhe këtë e dinë gjithë shqiptarët. Unë Monikën e kam gjetur në partinë që drejton sot Rama. Por ai e di se unë i di detyrat dhe bëj ndarjen personale, shoqërore dhe familjare me anën institucionale. Për mua tjetër gjë është Monika dhe tjetër gjë Republika aq më tepër në këtë detyrë kaq të rëndësishme që kam. I bëj të qartë se axhenda ime është ajo e Presidentit të Republikës, vend anëtar i NATO-s”, tha Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/375436069994726/

Më tej ai theksoi: “Axhenda ime nuk është as “të gjithë pushtetin sovjetëve”, që e provuan shqiptarët për 45 vjet, as axhenda “Rama ik”, e Lulit, Monës dhe Doktorit, nuk i them dot Saliut. Axhenda ime në raport me kryeministrin është shumë e thjeshtë: Reflekto! Se ashtu si unë jam në gjendje të bëj dallimin mes Monikës dhe Republikës edhe atij i kam kërkuar edhe kur kam qenë në koalicion para se ta votonim për kryeministër, edhe në vazhdimësi, deri në drekën e fundit që u bë publike këtu, që duhet të bëjë dallimin mjaft të rëndësishëm mes të qenit kryetar i PS dhe kryeministër i gjithë shqiptarëve”.
Presidenti ndau bindjen se deri më 30 qershor ka kohë që Rama të reflektojë dhe se për këtë është shpresëplotë se mazhoranca mund të marrë një vendim që nuk do të krijojë ndasi, apo zgjedhje me shtet paralel. “Ju kujtoni se unë jam kaq i pashpresë se ai nuk do të reflektojë?! Kemi kohë, kemi orë, kemi ditë. Të gjithë kanë nevojë të reflektojnë, sepse njerëzit janë të shqetësuar, ekonomia po e pëson. Ai nuk është vetëm kryeministër i të majtëve, por edhe atyre që votojnë opozitën, pasi edhe ata janë taksapaguesit shqiptarë”, tha Meta.

Rama rrëzon Metën
Gjatë kohës që presidenti po shpallte dekretin e ri për zgjedhjet e 13 tetorit, kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë, duke bërë të qartë se edhe profecia e tij doli se “presidenti do të bënte një çmenduri të dytë”.
“A ju thashë prisni çmendurinë e dytë? Tani thjesht mëshirojeni! Data e nxjerrë nga filxhani i revolucionit imagjinar është një “nullum absolutum dhe quod nullum est nullum producit effectum”! 30 qershori është e vetmja datë zgjedhjesh”, do të reagonte lideri socialist në Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1144223239134208001

Më herët, kryeministri reagoi edhe ndaj nisjes së negociatave që Meta po zhvillonte në selinë e Presidencës, duke lëshuar mesazhe në Twitter. “Zyrtare sot: Selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve të shtabit të revolucionit imagjinar për të mbrojtur me dhunë republikën e votën e popullit nga vetë populli, është vetë ai, Salvator Haxhi Qametaj! Çfarë karnavalesh politike! Qeshni me ta dhe me qetësi e dashuri t’u japim një mesazh kumbues të dielën, duke votuar ose mos votuar, por duke qenë të gjithë bashkë në një mendje se Shqipëria s’mund të jetë kurrë, një shesh për përsheshin e gatuar tërë këta muaj, të cilin duhet ta hanë ata që na e servirën”, do të shkruante Rama, ndërsa në zyrën e Metës hynin e dilnin kryetarë partish apo dhe ambasadorë.

Për dekretin e ri të zgjedhjeve reagoi edhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, e cila do të ndiqte linjën e batutave të të kryeministrit. “Ta pyesë dikush Qametën, kush do t’i organizojë zgjedhjet e 13 tetorit? Se KQZ, KZAZ dhe vetë Kolegji Zgjedhor e kanë thënë fjalën e tyre. Se s’po pyesim si do ia bëjmë me BE dhe Amerikën, sepse Haxhiut të Dytë i mjafton Luli me Monikën!”, do të reagonte Spiropali me anë të rrjeteve sociale.

https://twitter.com/elisaspiropali/status/1144232486521778176


Konsultimet e Metës
Presidenti Meta, ashtu siç kishte paralajmëruar do të shkonte në orën pesë të mëngjesit në zyrën e tij me shpresën se Rama do të merrte kthesën me makinën e së bashku eskortën e tij te Presidenca për të arritur ndonjë kompromis politik. Por edhe pse Rama iu soll zyrës së Presidencës, një gjë e tillë nuk ndodhi e kjo bëri që presidenti të niste konsultën politike me kryedemokratin Lulzim Basha në orën 09:00.

Basha dhe Meta gjatë takimit të sotëm

Takimi ka zgjatur 20 minuta, e ndërsa Basha linte zyrën e Metës, drejt saj po niseshin, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, e më pas aleatët minorë të PD-së, që në grup u takuan me kreun e shtetit. Meta gjithashtu u takua edhe me kreun e PDS-së, Paskal Milo.

Presidenti në konsultimet me partitë aleate të opozitës


Do të ishte kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi që do të paralajmëronte se presidenti po bënte gati të nxirrte ‘fermanin’ e ri të një datë te re të zgjedhjeve, ndërsa iu drejtuan selisë së PD-së, pasi atje i priste kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. “Besoj se presidenti do të nxjerrë një dekret të ri për një datë zgjedhjesh, që nuk është diskutuar sot, por gjithë përpara datës së datave të negociatave të tetorit”, deklaroi Shehi para mediave.

Tre ambasadorët e Britanisë së Madhe, BE-së dhe Gjermanisë, duke dalë nga Presidenca

Pas konsultimeve politike, Meta priti në zyrë edhe shefen e KiE në Tiranë, si dhe në bllok amabasadorët e BE-së, Britanisë së Madhe, të Gjermanisë dhe Francës për të diskutuar mbi situatën politike dhe për konsultimet e nisura me partitë politike. Presidenti i mbylli ditën ashtu siç edhe premtoi, në orën 14:30, duke dhënë një konferencë për shtyp për median mbi vendimin e ri, duke shpresuar se mazhoranca do të reflektojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë