Politike

Meta vijon sulmet ndaj PS: Bëjnë si tigra, por janë minj para popullit shqiptar

Presidenti Ilir Meta vijon të bëjë fushatë dhe apele për pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve në protestën e 2 marsit. Kreu i shtetit ka shfrytëzuar komentin e bërë në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale të aktorit Neritan Liçaj për të dhënë mesazhin e radhës ndaj mazhorancës. “Të rivendosim plotësisht rendin kushtetues dhe demokratik siç e ka shprehur vullnetin e tij populli shqiptar me Referendum në 22 nëntor 1998. Ndaj ta kthejmë 2 marsin në një referendum madhështor të triumfit të sovranit ndaj puçistëve dhe tradhtarëve kudo qofshin. Presidenti i njeh prej kohësh, por tani fytyrat e tyre hipokrite po i zbulojnë të gjithë shqiptarët. Bëjnë si tigra për të frikësuar njerëzit e thjeshtë, por janë vetëm minj përpara popullit shqiptar dhe drejtësisë që do të vijë. U zgjata pak, por ju dhe shumë artistë të tjerë keni vite në protestë për teatrin dhe meritoni mirënjohjen e çdo shqiptari”, shkruan Meta.
Kreu i shtetit e falënderon aktorin e njohur, i cili ka shprehur gatishmërinë për të qenë i pranishëm në këtë tubim të 2 marsit, i cili thekson se nëse organizatat mafioze që ai e cilëson mazhorancën, atëherë ata zhdukin jo vetëm Teatrin, por çdo trashëgimi kulturore e kombëtare për llogari të disa oligarkëve dhe organizatës ndërkombëtare.


“Ndaj është detyra ime si President i Republikës t'i bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar të hapë sytë mirë në këto momente decizive për fatet e kombit dhe demokracisë. Shqiptarët e bashkuar rreth Kushtetutës dhe Flamurit Kombëtar do të fitojnë! Ndaj ata do të vinë, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e tyre kushtetuese që dhunohen çdo ditë, por dhe në mirënjohje të protestës tuaj legjendare përballë bandës që nuk njeh Kushtetutë, ligj, konventë ndërkombëtare dhe atdhe”, mbyll Meta reagimin e tij.
Për protestën e datës 2 mars, presidenti pritet të firmosë publikisht dekretin për kthimin mbrapsht të ligjit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë protestë deri më tani vetëm LSI-ja është shprehur pro, ku kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar të shtunën nga Shkodra se do të jetë e pranishme. Nga PD-ja deri më tani nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar, edhe pse ka mbështetur qëndrimet e presidentit për sa i takon asaj që cilësohet si kapje apo grusht i shtetit nga ana e mazhorancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë