Politike

Meta: Vendimet e Kongresit të Lushnjës, mesazh për reflektim

Sot parlamentarizmi shqiptar mbush plot një shekull. Për të përkujtuar këtë 100 vjetor do të zhvillohen edhe një sërë veprimtarish. Si fillim është zhvilluar ceremonia festive në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës.

Në Lushnjë, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh se aty ka nisur konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare.

“Sot nderojmë legjionarët e parlamentarizmit shqiptar. Në Lushnjë nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare. Në Lushnjë nisi mbrojtja e tërësisë dhe integritetit të Shqipërisë. Në Lushnjë nisi ndërtimi i institucioneve e administratës shqiptare. Kongresi i Lushnjës është sintetizues e gjenerues i energjive të kombit”, është shprehur kryeparlamentari Ruçi.

100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës e ka përshëndetur edhe presidenti Meta.

Meta e ka cilësuar atë si një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në historinë kombëtare, pas asaj të shpalljes së Pavarësisë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, presidenti pohon se Kongresi i Lushnjës rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij.

“Kongresi i Lushnjës rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij, krijoi Kushtetutën e parë të vendit, zgjodhi të parën trupë legjislative mbi baza pluraliste, dhe shprehu vendosmërinë e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë”, shkruan presidenti Meta.

Duke marrë shkas edhe nga situata politike në vend, Meta shkruan se vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për të reflektuar.

“100 vjet më vonë, vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar”, shkruan kreu i shtetit.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2756416841071238/?type=3&theater

Në kuadër të festimeve të sotme, do të çelet dhe ekspozita dhe do të shfaqet dokumentari “100 vjet parlamentarizëm shqiptar” në Pallatin e Kongreseve.

Më vonë do të zhvillohet edhe Konferenca shkencore “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë