Politike

Meta u rikthehet fruta-perimeve

Presidenti Ilir Meta ka postuar në rrjetet sociale një foto personale pranë një peme shege. “Të paktën shegët po piqen”. Me këtë shënim, Presidenti shoqëron imazhin në fjalë.

Postimi mbërrin pas publikimit të opinionit paraprak të ekspertëve të Komisionit të Venecias, sipas të cilëve, Presidenti tejkaloi kompetencat që i jep Kushtetuta me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Venecia sugjeron se shkelja nuk mund të klasifikohet si e rëndë, por ua lë në dorë institucioneve shqiptare, që nga Komisioni Hetimor Parlamentar, Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese që të vendosin për shkarkimin apo jo të Ilir Metës.

Por, a mbart një mesazh të fshehur imazhi i Presidentit me dy kokrra shegë, gati në pjekje? Këtë përgjigje vetëm Meta e di, por kjo nuk është hera e parë që kreu i shtetit u drejtohet rrjeteve sociale për të përcjellë mesazhe në dukje me dykuptime. Në fund të muajit korrik, Presidenti publikoi një foto pranë një bime domateje. “Përshëndetje miq! Domatet duan ende kohë për t'u pjekur. Do durojmë edhe ca!”, shkruante ai.

Pas domateve, postimet vazhduan me boronicat e Bjeshkëve të Sharrit dhe me rrushin e Rahovecit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë