Politike

Meta: Turizmi jo vetëm për koncesionarët, por për të gjithë shqiptarët

“Një vend i bekuar me det, brigje, male, alpe dhe bukuri natyrore mahnitëse nuk mund që për disa të ketë diell dhe për të tjerët jo”. Me këto fjalë, Presidenti Ilir Meta kërkoi në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit që potenciali turistik i Shqipërisë të vihet në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Turizmi nuk janë vetëm hotelet e luksit dhe resortet me 5 yje! Turizëm në radhë të parë janë bujtinat mikpritëse familjare me gatime e prodhime bio në çdo stinë, që duhet të mbështeten nga shteti. Turizëm është trashëgimia e çmuar kulturore, janë muzetë, kalatë e parqet arkeologjike që meritojnë të promovohen, si dhe sa duhet. Turizëm janë brigjet, malet e lumenjtë përrallorë, e të gjitha pasuritë natyrore kombëtare, që në vend të gjenerojnë të ardhura për familjet shqiptare, keqshfrytëzohen nga koncensionarë”, tha Meta.

Presidenti kërkon reflektim dhe thotë se është koha dhe nevoja që këtij sektori t’i jepet frymëmarrja e nevojshme përmes një strategjike konkrete që do të frenonte shpopullimin e vendit.

“Ndaj sot, në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit është momenti për të reflektuar mbi domosdoshmërinë për t'i dhënë frymëmarrje këtij sektori jetik për ekonominë, nëpërmjet një plani konkret, të qartë dhe efikas, që do të frenonte edhe shpopullimin e vendit, duke rikthyer shpresën për zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhme të sigurtë në këtë vend të bekuar nga Zoti”, vijon Presidenti.

“Dielli do të ndriçojë për të gjithë shqiptarët!”, mbyll reagimin e tij kreu i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë