Politike

Kuvendi mblidhet për Kushtetuesen, Meta: Do të publikoj vendimet “kontrabandë” të KED

Parlamenti pritet që të zgjedhë dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese këtë të hënë, por Presidenti Ilir Meta fton deputetët që të mos shkelin Kushtetutën, duke nënkuptuar se zgjedhja e dy anëtarëve njëherësh bie ndesh me të.

“Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë! Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë! Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!”, thotë Meta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta premton gjithashtu se në ditët në vijim do të zbardhë dhe bëjë publike, sipas tij, mbledhjet dhe vendimet të botuara “kontrabandë” në Fletoren Zyrtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED”, shkruan Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2601856223193968/?type=3&theater

Presidenti nuk përmend emra kur flet për “individë të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë”, por në letrat drejtuar KED-së dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi akuzon kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani për shkelje administrative.

Kreu i shtetit deklaron se po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë, sapo Kuvendi të ketë zgjedhur anëtarin e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë