Politike

Meta: Të mendohet për një zgjidhje “Pro Kosovë”, dhe jo “anti-Kurti”

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një reagim sa i përket zhvillimeve në Kosovë, ku Parlamenti me një mocion rrëzoi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Për numrin një të shtetit shqiptar e rëndësishme është që të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe vullneti i qytetarëve të saj, duke shtuar me shumë rëndësi ka marrja e masave për parandalimin e situatës kundër pandemisë së koronavirusit.

"Në Kosovë kemi vënë re që ndonëse para 10 ditësh nuk ka asnjë qytetar të prekur, aktualisht përhapja e pandemisë ka marrë ritme shumë shqetësuese. Kështu që mendoj se përballimi i situatës së krijuar nga kjo pandemi duhet të jetë prioriteti numër një për të gjithë udhëheqësit e Kosovës, të cilët duhet të mendojnë se si do të japin një zgjidhje “Pro Kosovë” dhe jo “anti-Kurti”", deklaroi Meta në një intervistën televizive për Vizion Plus.

Presidenti gjithashtu ka shprehur shqetësimin edhe për faktin se pandemia e coronavirusit ka krijuar një situatë shqetësuese, jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por kudo ku ata ndodhen në rajon. "Unë dje kam patur një bisedë telefonike me Kryetarin e Komunës së Tuzit, z.Nik Gjeloshaj, për shkak se ne këtë rajon deri mbrëmë rezultonin mbi 20 shqiptarë të infektuar. Po sot mora një tjetër lajm shqetësues, që po kaq të prekur kanë rezultuar edhe gjatë ditës së sotme", thekson Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë