Politike

Meta: S’jam populist! Po mbroj interesat kombëtare

Presidenti Ilir Meta u qëndron deklaratave të bëra në fillim të muajit korrik, kur akuzoi George Soros se po komplotonte demokracinë shqiptare. Në një intervistë dhënë për gazetën italiane “Il Giornale”, kreu i shtetit shpreh bindjen se po mbron interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të vëmendshëm në këtë epokë globalizimi, që të ruajmë vlerat dhe identitetin tonë. Duhet të ruajmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e aktorëve privatë të huaj”, thotë Meta.

A e bëjnë këto deklarata populist Presidentin shqiptar? Meta mendon se jo. “Nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë”, thotë Presidenti.

Sa u takon zgjedhjeve të 30 qershorit, Meta përsërit se ato janë antikushtetuese dhe thotë se nëse nuk do të nxirrte dekretet e anulimit dhe shtyrjes së tyre për në 13 tetor, vendi do të shkonte drejt një përplasjeje të pashmangshme.

“Nëse nuk do të kishte nxjerrë dekretin e shtyrjes së zgjedhjeve për më 13 tetor, një datë e përzgjedhur jo rastësisht, sepse më 18 tetor do të merret vendimi për hapjen ose jo të bisedimeve të anëtarësimit, përplasja mes dy fraksioneve politike do të ishte e pashmangshme”, thotë Meta.

Në intervistën për gazetën italiane Meta kujton se socialistët kanë marrë që të 61 bashkitë dhe dhe këshillat bashkiakë, flet për parregullsi në procesin pa garë dhe ngre shqetësimin për volumin e madh të parave të drogës që qarkullojnë në ekonominë shqiptare.

“Duhen masa të ashpra për të zgjidhur problemin e drogës. Volumi i parave të narkotrafikut në Shqipëri është shumë më i lartë në raport me ekonominë tonë, po ta krahasosh me vende të mëdha si Italia dhe Gjermania”, shprehet Ilir Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë