Politike

Meta: Shqipëria të mos ndërhyjë në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Shqipërissë Ilir Meta, i është rikthyer çështjes së Kosovës, duke theksuar se ndërhyrja e Tiranës zyrtare nuk ndihmon në arritjen e një diaalogu me Serbinë.

I ftuar në televizionin “Dukagjini” në Kosovë, Meta sqaron qëndrimin e tij për këtë çështje, duke nënvizuar se këtë ia kishte bërë të ditur edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës. Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën  e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”, - u shpreh Meta.

Kreu i shtetit bën të ditur se ia ka komunikuar shqetësimin e tij edhe kryeministrit Rama. Sipas tij, kjo mund të krijonte keqkuptime të panvojshme.

“Unë këtë qëndrim ia kam bërë të qartë edhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Ua kam bërë të qartë edhe faktorëve të tjerë. Kam bërë edhe një qëndrim publik. Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti mund të krijonte keqkuptime të panevojshme, - vijoi Meta.

I pyetur lidhur me vendimin për të mosdekretuar Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, Presidenti ka shpjeguar se nuk është penduar për këtë vendim.

“Mosdekretimi ka të bëjë me faktin që kjo është një detyrë tepër delikate dhe Ministria e Jashtme ka pasur në proces disa çështje mjaft të rëndësishme, që lidhen edhe me dialogun mes Shqipërisë e Greqisë, përfshirë edhe demilitimin e shelfit kontinental, një çështje mjaft delikate pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Përveç mungesës së njohjes nga ana ime dhe opinionit publik të zotit Cakaj dhe ndonjë deklarim i konstatuar nga unë te një studio këtu në Kosovë prej tij, më ka shtuar pasigurinë në interpretimin e duhur të politikës së jashtme të Shqipërisë prej tij”, tha Meta.

Ai gjithashtu ka theksuar se politika shqiptare duhet të ndryshojë sa i përket emërimeve, pasi  sipas tij “emërimet duhet të jenë më meritokratike”.

“Sepse një ministër është një pozicion kushtetues. Problemi ynë është se ende nuk arrijmë të bëjmë dallimet mes detyrimeve që ka një ministër apo kryeministër si institucion kushtetues dhe detyrimeve si përfaqësues, drejtues i një shumice që vepron sipas vullnetit politik”, theksoi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë