Drejtësia

Meta sërish në kafaz dhe pa gjyq live, ish-presidenti ‘flet’ me shenja (foto)

Gazeta Si – Për të dytën herë brenda 10 ditësh, Ilir Meta është shfaqur pas kafazit të xhamit në GJKKO, ndërsa kërkesa e mbrojtjes së tij, si dhe e Monika Kryemadhit për një seancë “live” për publikun, është rrëzuar nga gjykata me argumentin se “do të krijonte presion publik dhe mediatik”.

Seanca e dytë në themel ka nisur me debate për ish-presidentin Meta, ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi dhe 3 të pandehurit e tjerë për dosjen e aferës CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA për ish-LSI.

“Ky intimidim dhe linçim që më është bërë mua dhe ish-burrit tim, duhet të jetë e hapur që shqiptarët të shohin provat”, ka thënë Kryemadhi.

Avokati mbrojtës i Metës i tha gjykatës se nuk ka asnjë bazë ligjore për ndalimin e transmetimit live të seancës.

Mediat nuk u lejuan të qëndronin përgjatë seancës, por vetëm në momentet e para. Kreu i PL, Ilir Meta u shfaq brenda kafazit prej xhami nga ku përshëndeti, duke bërë shqiponjën me duar. Ai shihet teksa komunikon me avokatin e tij përmes kafazit të xhamit.

Shenja me numrin 7 me gishta (siç shihet në foto), duket se është ironi me SPAK, që ka deklaruar në një proces tjetër se kushtet në kafaz janë me pesë yje. “Është me shtatë yje kafazi”, tha Meta.

Avokati Cakrani pyeti gjykatën ku e keni dinjitetin me sallat e reja, ku ish-Presidenti i vendit shfaqet sërish në kafaz.

“Ja dinjiteti njerëzor, presidenti në kafaz me xhama. Ku e keni dinjitetin me këto sallat e reja, ja ku janë tenderat. Presidenti në kafaz. Me kë talleni ju s’jemi budallenj”, tha ai.

Sa i takon gjyqit, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku janë të pandehurit që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Ndërsa Meta dhe Kryemadhi kanë kërkuar gjykim me procedurë të zakonshme.

Të dy akuzohen për të njëjtat vepra penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ish-çifti ka mohuar akuzat lidhur me dosjen në ngarkim të tyre duke e konsideruar procesin gjyqësor si tejet politik të drejtuar nga vetë kryeministri Edi Rama.

Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë