Politike

Meta rishpall kandidaturat për Kushtetuesen, afati në vendimin e negociatave

Mungesa e kandidaturave për anëtarë Gjykatën Kushtetuese detyron presidentin Ilir Meta që të rishpallë garën për mandatin e ish-gjyqtarit Besnik Imeraj. Në dekretin e nxjerrë nga kreu i shtetit për hapjen e garës përcaktohet kandidatët duhet të paraqesin emrat brenda datës 18 tetor, që përkon me ditën kur Këshilli i BE-së do të marrë vendim për hapjen ose jo të negociatave. Kreu i shtetit në dekretin e nxjerrë thekson se KED ka vendosur pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e Presidentit të Republikës për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme e shpallur nga Presidenti me Dekretin nr. 10723, datë 07.02.2018, për shkak se në përfundim të procedurave të verifikimit të ndjekura nga KED, rezulton se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant kanë ngelur vetëm dy kandidatë. Kështu KED ka evidentuar se nga ka evidentuar se nga 15 kandidatë që kanë shprehur interesin për konkurrim, kanë ngelur në garë vetëm dy kandidatë të lejuar për kandidim dhe, konkretisht, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti, të tjerët janë skualifikuar.
Procesi për vlerësimin e kandidatëve ka lënë pezull Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit për një vend vakant nevojitet që të ketë tre kandidatura alternative, të cilat iu dërgohen institucioneve si Presidenti dhe Kuvendi. KED-ja është institucioni që bën edhe renditjen e kandidatëve ,sipas pikëzimit dhe ia dërgon institucioneve. Nëse Presidenti apo Kuvendi nuk vendosin për emrat e paraqitura, atëherë kandidati i renditur i pari shpallet automatikisht si anëtar Gjykate.
Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese është edhe një nga kushtet e Bashkimit Europian, pasi kërkohet që të vendoset edhe për fatin e zgjedhjeve lokale të 30 tetorit. Kushti në fakt është vendosur nga Bundestagu gjerman, i cili me rezolutën e miratuar kërkon që ky institucion të interpretojë edhe legjitimitetin e zgjedhjeve lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë