Politike

Meta rikthen ndryshimin e koncesionit të Porto Romanos

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend shtesën e kontratës së koncesionit të Porto Romanos, miratuar në seancën e 30 prillit nga Parlamenti, duke deklaruar se ajo shkel parimet kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”.

Shtesa ishte një kërkesë e kompanisë koncesionare, që iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës që në muajin shkurt. Kjo e fundit e dorëzoi në Kuvend dhe pas miratimit në Komisione ndryshimi i kontratës u votua nga deputetët.

Sipas objektit të kësaj shtese kompania synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, marrjen e masave për parandalimin e ndotjes detare gjatë operacioneve të ngarkimit dhe shkarkimit të karburanteve, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Por, pika që ka bindur Presidentin Ilir Meta që ta rikthejë në Parlament këtë ligj është pika 5. Sipas kontratës ekzistuese, shoqëria “Porti MBM – Porto Romano” ka të drejtë që të ngarkojë dhe shkarkojë vetëm anijet që transportojnë hidrokarbure. Në pikën pesë të shtesës së kontratës, ajo kërkon që ta zgjerojë shërbimin duke ofruar edhe trajtimin e anijeve që transportojnë mallra të tjera ndaj klientëve.

Sipas Presidentit Ilir Meta, ndryshimi i kontratës jo vetëm që nuk ka ndjekur procedurat e kërkuara nga ligji, por ndryshon thelbësisht objektin e koncesionit, që nëse do të ishin të parashikuara gjatë tenderit fillestar mund të sillte rezultat tjetër për fituesin e garës.

“Nëse këto ndryshime do të kishin qenë të përfshira në njoftimin fillestar të kontratës ose në dokumentacionin e tenderit, do të kishin bërë të mundur që ofertuesit të dorëzonin një ofertë në thelb të ndryshme”, thotë Presidenti.

Meta thotë se miratimi pa patur më parë edhe një analizë të mirëfilltë të kostove financiare bart rrezikun e pasojave të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit.

Presidenti deklaron gjithashtu se procedurat e ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë anashkaluar procedurat e konkurrimit të parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.

Sipas Metës, shtesa krijon një marrëdhënie të re kontraktuale që duhej negociuar dhe nënshkruar, pra praktikisht jepet pa garë një koncesion i ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë