Politike

Koncesioni i Porto-Romanos ndez debatin Bushati-Balla për oligarkët në politikë

Ditmir Bushati dhe Taulant Balla patën sot një përplasje qëndrimesh, që në thelb inicohej nga një shtesë kontrate konçesionare në Porto - Romano, Durrës. Sipas ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, qeveria është votuar në 2013 nga qytetarët sepse u është premtuar ndarja e oligarkisë nga politika, ndryshe nga sot.

“Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri pa një procedurë, pa ligj, në një situatë të vështirë. Dua ta filloj me një lutje për ju kryetar. Jam dakord me fjalët që mbajtët në fillim të seancës. Në rast se do t’i qëndrojmë fjalëve tuaja, do ju lutesha mos ta votojmë këtë kontratë, që t’i japim kohë aktorëve shtetërorë të bëjnë analizën e duhur. Nuk kemi tagër të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re.

Në komunizëm deti ishte i pashfrytëzuar dhe sot jemi në kapitalizëm dhe çdokush duhet të dijë se çfarë ndodh në vijën bregdetare, sa porte do të ketë etj”, tha Bushati.

“Me këtë kontratë, - vijoi ai- synohet që portit të hidrokarbureve t’i ndryshohet në thelb subjekti. Ne sot duhet të kishim këtu një projekt vizibiliteti. Unë jam një njeri që besoj të idealet.

Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe t’ia japim privatit. Nuk kanë pse shqiptarët të paguajnë taksa për të çuar postën atje, doganierin etj. Le ta bëjë privati këtë nëse e do”.

“Ne duhet të ndahemi me oligarkinë. Niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia e institucioneve. Interesin e publikes duhet të mbrojmë ne kryetar. Ne na kanë votuar në 2013 dhe kemi thënë do t’i anulojmë koncesionet. Është momenti për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar ku oligarkët e shpërthejnë politikën”, tha Bushati.

Taulant Balla ne Kuvend

Nuk e ka pritur aspak mirë qëndrimin e kolegut, Taulant Balla.

“Sot kuvendi po shqyron shtesë të një kontrate të një koncesioni që ka 6 vite që është miratuar nga qeveria dhe Kuvendi që edhe në atë kohë që u miratua ka qenë edhe opozita e vjetër dhe është votuar me konsensus nga gjithë kuvendi dhe nuk besoj se në qeverinë ku ka qenë edhe kolegu im (Bushati si ministër i Jashtëm) të ketë votuar kundër…,”- tha Balla.

Balla thumboi kur tha se ai nuk ka qënë ndonjëherë anëtar qeverie dhe se gjërat i sheh njëlloj.   

“Unë nuk kam qenë anëtar i qeverisë, kam qenë gjithmonë deputet dhe gjërat i shoh njëlloj. Fjala e kolegut mu duk si fjala e Grida Dumës, që i shoh gjërat mirë nga jashtë, por nuk më pëlqejnë nga brenda. Ndaj dua të sqaroj se kur vjen këtu, ne duhet të japim shembullin si kur një investim privat ecën mirë, paguan taksat e ka nevojë të bëjë ndryshim kontrate, (se gjoja në interes të njerëzve është për të bërë lajmin e ditës). Shtesa e kontratës në Porto Romano është domodsoshmëri për ta çliruar portin e Durrësit nga ndotjet që mund të bëjnë operatorët e ndryshëm,”- tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë