Shpëtimi i vogëlushit Alvin Berisha është pritur me komente të ndryshme nga drejtuesit e institucioneve dhe të politikës shqiptare. Presidenti Ilir Meta në një reagim të tij u tregua i kujdesshëm, madje duke shmangur ato foto ku vogëlushi 11-vjeçar shfaqej me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj në momentin e shpëtimit. “Alvini i lirë, një lajm i mrekullueshëm dhe i shumëpritur nga të gjithë!”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale, që e shoqëron me video tjetër e momentit kur punonjësit e organizatat Gjysmë Hënës së Kuqe të Sirisë e nxjerr Alvin dhe e hipin në një makinë për të dërguar në kufirin libiano-sirian.
Nënkryetari i Partisë Demokrati, Edi Paloka ironizon këtë aksion, edhe pse thekson se ky është një lajm i mirë për të gjithe po sidomos për babanë dhe familjarët e tij.
“Që Rama do dilte menjëherë të merrte “meritat” kjo pritej se ndodh rëndom dhe shëmtuar për çdo “sukses” që në fakt nuk ka asnjë lidhje me qeverinë e tij, përkundrazi (imagjinoni që edhe ngritjen e flamurit në ndeshjen me Serbinë dhe kualifikimin e Kombëtares në Evropian u përpoq t’i paraqiste si suksese të tij personale. Po çfarë kalonte çdo limit logjik, ishte njoftimi i kryeministrit se “Ministri i Brendshëm ka qëndruar një javë në kufirin me Sirinë…” deri sa u zgjidh çështja e Alvinit !!! Ky Lleshi është ministër i brendshëm në Danimarkë apo në Suedi që qëndroka një javë në kufi me Sirinë?! A është ky ministër i një vendi ku mafia bën ligjin dhe ku pak ditë më parë iu bë atentat në mes të rrugës një prokurori prej nipit të një deputeti?”, shkruan Paloka në Facebook.
Ai vijon më tej në qëndrimin e tij, duke theksuar se se i ka mundësi që roli i Lleshajt ishte kaq i rëndësishëm në këtë operacion saqë duhej të ishte i pranishëm.
“Në fund të fundit, kaq i pazëvendësueshëm paska qene roli i Lleshajt në Siri sa duhej të qëndronte një javë aty? Nuk mund të merreshin strukturat e specializuara me çështjen? Nuk zgjidhej pa qenë nevoja të shkonte Lleshaj në Siri? Se nuk besoj që ka shkuar si Rambo atje… Do thotë dikush që kjo çështje ishte sensitive, sepse u bë bujë dhe në mediat italiane. Sigurisht kjo është arsyeja, Rama e pa si një mundësi për ta paraqitur një “sukses” në kohën që po mbytet nga skandalet dhe dështimet”, thekson Paloka.
Ndërsa ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj ka qenë më e rezervuar në reagimin e saj, duke deklaruar se ky rast është apeli më i madh për të shpëtuar edhe fëmijët e tjerë. “Sot është dita të falënderojmë cilindo, që sadopak apo shumë ndihmoi në rastin e Alvinit, për t’ia bërë rrugën e kthimit të sigurt dhe për t’u dhënë fund ditëve të dhimbshme, ankthit dhe makthit të këtij vogëlushi! Le të jetë kthimi i Alvinit për në vatrën e shtëpisë, fillimi i rrugës për të gjithë fëmijët që vuajnë në këto kampe fatkeqe! Askush nuk mund të dijë kuptimin e jetës, kuptimin e botës, derisa të ketë një fëmijë, dhe pastaj e gjithë bota ndryshon. Asgjë nuk mund të jetë ajo që ishte më parë! Ndaj Alvinit i uroj që jeta vetëm t’i buzëqesh dhe qoftë ogurmirë për të gjithë fëmijët e tjerē kudo në botë! Bota bëhet më e bukur, kur fëmijët buzëqeshin e jetojnë të lumtur në botën që të rriturit duhet t’jua ndërtojnë! Një botë pa luftë, pa gjenocid, pa kampe fatkeqe , që fëmijët të jetojnë të lumtur në çdo cep të saj! Se çdo fëmijë duhet të ketë ëndrra dhe një shtëpi të ngrohte , që është e rrethuar nga dashuria për ta”, shkruan Malaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.