Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ditën e sotme priti në një takim të veçantë Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, zotin Péter Sztáray.
Presidenti përshëndeti vizitën e zotit Sztáray në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë vlerësoi pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e 90-vjetorit të krijimit të Mbretërisë shqiptare.
Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy kombeve, Presidenti Meta, nënvizoi edhe njëherë se këto marrëdhënie u lidhën edhe më fort e morën një shkëlqim të veçantë kur Géraldine Apponyi, pranoi të bëhej Mbretëreshë e shqiptarëve.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu në bashkëpunimin dypalësh, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë interesin e përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar.
“Investimet hungareze janë shumë të mirëpritura në Shqipëri dhe gjatë vizitës sime të fundit në Hungari, konstatova me shumë kënaqësi dëshirën dhe vullnetin e autoriteteve hungareze për të rritur nivelin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare me Shqipërinë”, nënvizoi Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit vlerësoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit, duke e konsideruar atë një shembull që duhet ndjekur, si në nivel vendor ashtu edhe në atë qendror me Hungarinë.
Me interes u bashkëbisedua edhe për zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmes euroatlantike të vendeve të këtij rajoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



