Lajme

Meta pret ambasadorin e BE-së në Tiranë

Vjen ambasadori i ri i Bashkimit Europian në Tiranë, pasuesi i Vlahutin, e cila u mor shumë me zbatimin e reformës në drejtësi bashkë me Donald Lu. Luigi Soreca “starton” në këtë mënyrë i vetëm, pasi SHBA nuk ka sjellë ende ambasador që të zëvendësojë Lu, ndërsa misionin e drejton zv.ambasadorja Leyla Moses-Ones.

Ambasadori i ri, Luigi Soreca, ka nisur zyrtarisht punën në Shqipëri, pasi ka paraqitur letrat kredenciale te presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Ai u prit nga presidenti Meta, i cili shprehu kënaqësinë që Bashkimi Europian ka përzgjedhur si përfaqësues të tij në vendin tonë një nga njohësit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Shqipërisë dhe rajonit ndër vite, dhe me kontribut të spikatur për suksesin e liberalizimit të vizave me BE.

Presidenti Meta theksoi se përparimi urgjent në çështjet e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik janë domosdoshmëri për vendin, dhe përshpejtojnë agjendën integruese të vendit.

Sipas presidentit Meta me rëndësi është edhe rritja e bashkëpunimit pozitë-opozitë për avancimin e reformave kyçe që do të mundësojnë realizimin e objektivit për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë