Politike

Meta për deklaratën e DASH: U qëndroj besnik qëndrimeve të mia për drejtësinë

Deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi “respektimin e ligjit mbi të gjitha”, është përshëndetur nga Presidenti Ilir Meta,

“Presidenti Meta konfirmon vendosmërinë e Tij për të bashkëpunuar ngushtë me DASH dhe SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar në bashkëpunim me SHBA dhe Komisionin e Venecias”, thotë kreu i shtetit.

Megjithatë, Meta thotë se u qëndron të gjitha qëndrimeve dhe deklaratave që ka bërë ditët e fundit mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer”, thuhet në deklaratë.

Në fund, reagimi i Presidencës mbyllet duke thënë se aleanca strategjike dhe miqësia e shkëlqyer mes dy vendeve dhe e dy popujve është e palëkundur.

Kërkesa për referendum

Më herët, me rastin e 19-vjetorit të votimit me referendum të Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti Ilir Meta doli me një deklaratë ku tha se është koha që të thirren edhe njëherë qytetarët për të vendosur për të.

Presidenti doli në një konferencë për shtyp, ku tha se Kushtetuta e votuar më 22 nëntor 1998 ka marrë dy goditje të forta. E para, thotë Presidenti, ishte në vitin 2008, kur ndryshoi sistemi dhe kodi zgjedhor dhe e dyta në 2016 me ndryshimet për reformën në drejtësi. Për këtë të dytë, Meta deklaron se nuk u ndoqën rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe as paralajmërimet e bëra në atë kohë.

Në këtë situatë, Presidenti shprehet i vendosur të qëndrojë në mbrojtje të Kushtetutës dhe paralajmëron se do të vazhdojë t’u drejtohet qytetarëve.

“Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive. Ndryshimet thelbësore që u bënë në Kushtetutë në vitin 2016 kanë nxjerrë sot në pah dhe tri probleme të tjera akute, të cilat, për të qenë të vërtetë, u paralajmëruan se do të ndodhnin”, deklaroi Presidenti.

Meta mendon se me këto dy ndryshime, Kushtetuta është shndërruar sot në një rregullore me data dhe afate, të cilat janë shkelur.

“Së pari, ky tejkalim afatesh ka shkaktuar një kaos kushtetues dhe ligjor që po çon në paralizimin dhe destabilizimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend. Së dyti, siç Komisioni i Venecias pati paralajmëruar, zbatimi i këtij procesi drastik dhe të pashembullt, do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke patur parasysh burimet njerëzore në dispozicion”, nënvizon Meta.

.Meta kujton rekomandimet e Venecias, ku njëri prej tyre ishte edhe bashkëpunimi. Por, Presidenti thotë se ajo që rekomandoi ky Komision po shkelet dhunshëm me qëllim kapjen e drejtësisë nga Kryeministri Edi Rama.

Presidenti tha se sot, Qeveria nuk i jep llogari asnjë institucioni dhe tha tërthorazi se Kuvendi është antikushtetues për shkak të mungesës së 140 deputetëve.

“Jemi në vendin ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh”, shprehet Meta.

Presidenti foli për kapje të pushtetit vendor në një proces të paligjshëm, lënie e vendit qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese dhe pengimi i ngritjes së saj, mungesa e Gjykatës së Lartë, ligje arbitrare dhe antikushtetuese që favorizojnë një grusht oligarkësh dhe braktisje të vendit nga qytetarët. Të gjitha këtyre, Meta tha se u duhet thënë mjaft.,

“Është koha për t’i thënë NDAL këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë! Unë, si President i Republikës, do të qëndroj si kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia, përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare. Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre! Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën”, u shpreh ai.

Për të gjitha këto arsye, Ilir Meta kërkon referendum.

“Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore. Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm, është mbi të gjithë. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë”, mbylli deklaratën e tij kreu i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë