Presidenti Meta, i pranishëm në Izrael për ceremonitë që shënuan 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit, ka folur në një intervistë për gazetën më të madhe izraelite “The Times of Israel” për marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin, ndërsa është ndalur edhe te çështja e Kosovës, si dhe tek pasojat e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.
Meta u shpreh se miqësia e Izraelit me Shqipërinë u shfaq më 26 nëntor, kur vendi ynë u godit nga tërmeti tragjik që vrau 51 njerëz, ndërsa ushtria izraelite dërgoi një ekip të specializuar për të nxjerrë të mbijetuarit dhe për të përcaktuar nëse ndërtesat nga ana strukturore ishin apo jo të sigurta.
“Ka pasur dëme të mëdha, dhe për fat të keq patëm 51 jetë të humbura gjatë kësaj tragjedie,” tha Meta. “Por ne jemi të vendosur për t’u përballur me këtë krizë humanitare dhe kemi dhënë ndihmë për të gjithë njerëzit që vuajtën gjatë këtij tërmeti.”
Duke u ndalur te Kosova, presidenti Meta është shprehur se Izraeli duhet të njohë sa më parë pavarësinë e saj.
“Kosova dhe Izraeli kanë një miqësi të madhe. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk mund të flas në emër të secilit vend, por ka simpati të madhe midis kosovarëve për hebrenjtë, dhe anasjelltas. Shpresoj se do të vijë koha. Deri atëherë, të gjitha mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim dypalësh duhet të shfrytëzohen”, tha presidenti Meta.
Ndër të tjera, kreu i shtetit ka thënë se një nga qëllimet e Shqipërisë është të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por kjo ëndërr ende nuk është realizuar.
“Ne jemi shumë të vendosur për t’u anëtarësuar në BE. Është e vërtetë që Presidenti Macron ka kërkuar të rishikojë metodologjinë e zgjerimit të BE-së, dhe shpresojmë që kjo metodologji të rishqyrtohet shumë shpejt. Unë fola me të nëntorin e kaluar kur isha në Paris. Ne jemi në kontakt me BE-në dhe shpresojmë që së shpejti do t’i hapë rrugë vendimeve pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, mësohet të jetë shprehur Meta.
Drejtuesit e 49 vendeve u bashkuan këtë javë në Jeruzalem për ceremonitë që shënuan 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit. Kjo është vizita e dytë e presidentit Meta në Izrael. E para ishte si Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, në vitin 2014.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.