Politike

Meta: Parlamenti njëpartiak të tërhiqet nga antishpifja

Mes prioriteteve që Edi Rama i vendosi Parlamentit në seancën e hapjes së sesionit të ri ishte edhe miratimi i paktetës antishpifje duke u bazuar tek rekomandimet e marra nga Komisioni i Venecias. Por, Presidenti Ilir Meta i kërkon mazhorancës që të tërhiqet plotësisht nga kjo nismë, që e cilëson praktikë “Lukashenkoje”.

“I bëj thirrje të fortë Qeverisë dhe Kuvendit njëpartiak të tërhiqet nga modeli i neveritshëm Lukashenko për censurën në media dhe të mos vijojë në errësirë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh qartazi me Kushtetutën dhe Opinionin e Komisionit të Venecias”, deklaron kreu i shtetit.

Presidenti shpërndau në rrjetet sociale shqetësimin e disa organizatave mediatike që janë rreshtuar kundër nismës së mazhorancës. Ai zotohet që do të jetë në krah të tyre për të kundërshtuar këtë nismë.

“Duke risjellë në vëmendje përkeqësimin në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias të bërë publik në raportin vjetor të "Reporterëve pa Kufij"; Qëndrimet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, konkluzionet e "Freedom House", Raportin e Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, si edhe shqetësimet e bëra publike nga organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve për hapat pas që vendi ynë ka shënuar sa i përket lirisë së medias, garantoj se do të jem përherë në krah të gazetarëve të pavarur e kurajozë për të mos lejuar kurrë instalimin e modelit të neveritshëm Lukashenko në Shqipëri”, thotë Meta.

Sipas Presidencës ka dyshime të forta që ligji ka vetëm një qëllim brenda vetes: të godasë, intimidojë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike me Qeverinë.

“Risjell në vëmendje se këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me: Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit; Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit; Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim; Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut; Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut”, deklaron Presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë