Politike

Shtatë organizata ndërkombëtare letër Ruçit: Ndal procedurat për “Antishpifjen”

Shtatë organizata ndërkombëtare dhe rajonale i kanë dërguar një letër Kuvendit të Shqipërisë ku i kërkojnë që të garantohet respektimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias sa i përket paketës së njohur si “Antishpifja”.

Kjo paketë u rikthye në qendër të vëmendjes në seancën e parë parlamentare të këtij sesioni, kur Kryeministri Edi Rama e radhiti mes prioriteteve të punës së deputetëve.

Shtatë organizatat që kanë firmosur letrën publike drejtuar Gramoz Ruçit dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë thonë se “janë të alarmuara nga planet e Parlamentit shqiptar për të amenduar ligjin e Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke reflektuar në të vetëm shqetësimet e ngritura nga Presidenti i Republikës kur ktheu për rishqyrtim në Kuvend këtë ligj".

“Rrjedhimisht, Parlamenti do të shpërfillë problematikat e ngritura nga opinioni i Komisionit të Venecias dhe nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile”, thuhet në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Organizatat në fjalë thonë se projektligji në formën aktuale bie ndesh me ligjet dhe standardet ndërkombëtare dhe u kujtojnë ligjvënësve shqiptarë se kjo është ngritur si shqetësim edhe nga Venecia.

Organizatat ngrenë shqetësimin për fushën e gjerë të veprimit të këtij projektligji, duke përfshirë edhe blogerat, apo përdoruesit individualë të rrjeteve sociale. Problematikë shihet edhe tek kërkesa për deanonimizimin e të gjitha burimeve mediatike online, që këto organizata besojnë se zbulojnë mediat drejt presionit dhe trysnive.

Problematika tjetër lidhet me kompetencat e zgjeruara që ligji i jep AMA-s, pa garantuar më parë pavarësinë e mjaftueshme për këtë institucion dhe mungesa e mekanizmave të duhur procedurialë mbrojtës për median.

“Nisur nga të gjitha këto, projektligji rrezikon që të godasë lirinë e medias dhe të shprehjes në internet dhe të kufizojë të drejtën për t’u informuar të qytetarëve shqiptarë”, vijon letra.

Organizatat sugjerojnë që në vend të rregullimit me forcën e ligjit, të promovohet një trupë vetërregulluese mediatike, ku të jenë të përfaqësuar të gjithë aktorët mediatikë.

“Ne Ju kërkojmë që të rimendoni procedurën për ligjin aktual dhe në vend të tij të nisni një proces transparent që adreson rekomandimet e Venecias, përfshin shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e medias. Druhemi se miratimi i këtij ligji me shpërfillje të fortë ndaj këtyre shqetësimeve të ngritura edhe nga Venecia do të dëmtojë shpresat për një progres në lirinë e medias dhe minojë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, mbyllet letra.

Letra publike është firmosur nga organizatat European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), ARTICLE 19, European Federation of Journalists (EFJ), Free Press Unlimited (FPU), International Press Institute (IPI), Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT), South East Europe Media Organisation (SEEMO).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë