Presidenti Ilir Meta është optimist se marrëveshja mes opozitës së bashkuar dhe mazhorancës për reformën zgjedhore mund të realizohet brenda 15 marsit të vendosur si afat kohor nga të dyja palët, por është pesimist sa i takon një vendimi pozitive për hapjen e negociatave në Samitin e BE-së në Zagreb në muajin maj.
“Ka një dakordim për ta përmbyllur këtë proces deri më 15 mars me konsensus. Unë besoj se po. Negociata mund të hapen në qoftë se do të ketë një angazhim se ato kushtet e Bundestagut të adresohen në një mënyrë shumë të shpejtë dhe jo duke i zvarritur. Me këtë ritëm unë nuk shikoj ndonjë perspektivë serioze për në maj”, deklaroi Presidenti në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Kosovë.
Meta iu kthye akuzave ndaj mazhorancës, që e sheh si burimin real të krizës.
“Mazhoranca ka vetëm një alternativë, mendoj unë, e cila në fakt është burimi real i krizës që kemi në Shqipëri: alternativën e frikësimit të të gjithëve dhe jo të ushtrimit të përgjegjësive të saj në mënyrë të përgjegjshme, kushtetuese, demokratike dhe luajale”, tha ai.
Presidenti thotë se socialistët janë të vetëdijshëm se nuk mund të shkarkojnë dot dhe e gjithë përpjekja përmes komisionit hetimor parlamentar është një mekanizëm për të frikësuar kundërshtarët e tjerë.
“Mazhoranca e di shumë mirë se mua nuk më shkarkon dot, për arsye se unë, jo vetëm nuk kam shkelur Kushtetutën, por edhe nëse një president mund të nxirrte një akt, pra nxjerr një dekret sikurse nxjerr parlamenti një ligj apo qeveria nxjerr një vendim, dhe vlerësohet se nuk është në përputhje me Kushtetutën, kjo nuk është kurrë një shkak për shkarkim, përkundrazi. Për më tepër që Kushtetuta e Shqipërisë e mbron në mënyrë të jashtëzakonshme Presidentin për shkak se Presidenti është përfaqësues i interesave të shtetit dhe padyshim që kushtetutëbërësi e ka parashikuar që Presidenti për arsye nga më të ndryshmet mund të jetë nën presione nga të forta, që duhet të mbrojë një interes shtetëror apo kombëtar”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.