Lajme

Meta nxjerr dekretin: Zgjedhjet lokale më 30 qershor

Zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen më 30 qershor të vitit 2019. Presidenti Meta ka firmosur dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve të reja vendore, pas konsultimeve të realizuara disa ditë më parë me partitë politike.

Sipas njoftimit për median nga zyra e shtypit e Presidencës, bëhet e ditur se Presidenti Meta: “Në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj” dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të rregullave të parashikuara në nenin 9, paragrafi 1 dhe 2 dhe nenit 10, paragrafi 1 dhe 2 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,  Presidenti ka vendosur që Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen ditën e diel, më datë 30 qershor 2019”.

Ky është edhe dekreti më i fundit i nxjerrë nga Presidenti, i publikuar menjëherë pas takimit që pati me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, kreu i shtetit kishte si opsione dy variante për caktimin e datës së zgjedhjeve  23 dhe 30, si dy të dielat e fundit të muajit qershor.

Por kreu i shtetit, ka vendosur që të caktojë 30 qershorin si ditën e votimeve, si limitin e fundit ligjor.

Pesë ditë më parë Presidenti nisi konsultimet me partitë politike me qëllim gjetjen e një date konsensuale.

Përfaqësuesi i PS-së, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla pas negociatave me kreun e shtetit, u shpreh se për maxhorancën çështja e datës së zgjedhjeve nuk përbën ndonjë problem se kur do të mbahen, pasi ligji zgjedhor i ka të përcaktuara afatet. Gjithashtu ai u shpreh se kjo është një kompetencë e kreut të shtetit.

Edhe përfaqësuesit e opozitës patën deklaruar se caktimi i datës së zgjedhjeve është një prerogativë e Presidentit, duke nxjerrë si shqetësimin kryesor standardet e këtyre zgjedhjeve.

Presidenti zhvilloi konsultimet me partitë politike, pas deklaratave të bëra nga opozita se nuk ishte e vendosur për bojkotin e zgjedhjeve lokale. Për PD-në dekriminalizimi i zgjedhjeve është një nga kushtet kryesore, pasi kërkojnë që të mos përsëritet sipas tyre blerja e votave.

Dekreti i nxjerrë sot hyn në fuqi menjëherë, e tani Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i duhet të nisë procesin e përgatitjes së këtij procesi zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë