Politike

Meta nuk flet për Vorën e prokurorin, por bën thirrje për dialog e reflektim për Teatrin

Presidenti Ilir Meta apeloi sërish për dialog për zgjedhjen e krizës politike. Duke folur në ekspozitën e piktorit Avni Delvinës në Teatrin Kombëtar, kreu i shtetit tha se vetëm me dialog mund të zgjidhim në mënyrë të arsyeshme sfidat e së ardhmes, larg arbitraritetit dhe interesave okulte.
“Është e domosdoshme që të gjithë të reflektojë dhe dialogojmë si një shoqëri e qytetëruar dhe e emancipuar për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme, larg arbitraritetit, larg interesave okulte. Në interes të kulturës sonë, qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë. Është detyra jonë të përforcojmë vlerat e shoqërisë sonë që të ecim të sigurt drejt europianizimit. Nuk mund të ketë një shoqëri europiane pa identitetin e saj kulturor dhe kombëtar”, theksoi presidenti.
Në këtë aktivitet presidenti zgjodhi të lëshojë mesazhin nga brenda ambienteve të Teatrit Kombëtar godinës që qeveria po tenton ta shembë, por se edhe vetë Meta ka dalë kundër këtij aktij, duke mbrapsht disa herë ligjin dhe madje duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të shprehet mbi nismën e qeverisë.
Presidenti bëri thirrje për reflektim për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe mbi të gjitha zbuloi se zgjodhi pikërisht që të ishte në këtë ekspozitë , pasi dekada më parë artistët protestues në Gjermani dhe kjo ishte pikënisja e rrëzimit të Murit të Berlinit.

Presidenti në ekspozitën e piktorit Avni Delvina në ambientet e Teatrit. Gazeta Si, 4 nëntor 2019

“Jetojmë në kohë të vështira edhe për artistët edhe për shoqërinë civile, në kohën e globalizimit i cili është një proces të cilin nuk mundet që të ndalim, por është një proces që mund të përfitojmë, por është një proces i cili nuk duhet të na shkombëtarizojë. Dhe këtu del detyra e njerëzve të artit, të kulturës, edhe padyshim e njerëzve të politikës që janë për të mbrojtur interesin kombëtar dhe politike për të dhënë mesazhe edhe më të forta në mbrojtje të kauzave kombëtare, të atyre që e forcojnë identitetin tonë dhe nuk e zhbëjnë, në mbrojtje të kulturës kombëtare dhe të vlerave qytetarëve, të sovranitetit të qytetarëve. Nëse qytetarët nuk gëzojnë sovranitetin e tyre të plotë për të vendosur rrezikojnë edhe sovranitetin e shtetit”, deklaroi Meta.

Presidenti duke folur në ekspozitën e piktorit Avni Delvina. Gazeta Si, 4 nëntor 2019

Sa i përket kthimit të dekreteve për Teatrin, presidenti theksoi se se nuk ka nevojë për falenderimin e artistëve, pasi ka bërë veçse detyrën për mbrojtur Kushtetutën e ligjin dhe ka mbrojtur identitetin kombëtar dhe kulturor. Presidenti edhe pse bëri thirrje për zgjidhjen e krizës për median iu shmang përgjigjeve nëse do të pranonte të firmoste një dekret të ri për çështjen e Vorës, nëse mandati i kryebashkiakut Agim Kajmaku rrëzohet përfundimisht edhe me vendim gjykate. Gjithashtu kreu i shtetit iu shmang edhe ndonjë prononcimi për atentatin e ndodhur të premten e shkuar ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. “Sot në këtë ditë kam vendosur t'i a kushtojë vetëm artistit të mirënjohur Avni Delvina dhe përpjekjeve të tij për të vendosur artin në shërbim të kauzave. Sot është dita e mesazhit që jep kjo ekspozitë. Unë kuptoj atë që është e vërtetë. Artistët janë zëri që e çon një popull drejt një të ardhme të sigurt", përfundoi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë