Lajme

Meta rrëzon Lleshin, ja skenarët që mund të ndjekë Rama

Pas një reflektimi të thellë, ku ka marrë të gjithë kohën e duhur për t’u njohur me figurën e tij dhe pasi ka siguruar informacione nga institucionet e kërkuara, presidenti Ilir Meta nuk e ka dekretuar emrin e Sandër Lleshit si ministër të Brendshëm.

Ky është rasti i parë i përplajes mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë, ose më saktë mes dy ish-aleatëve, Rama-Meta për çështje dekreti pasi ky është refuzimi i parë që kreu i shtetit i bën për një anëtar qeverie.

Vendimin e tij, Meta ia ka komunikuar direkt Sandër Lleshit, të cilin e ka pritur në një takim pasditen e së shtunës në zyrën e tij. Tashmë kryeministri Rama ose do të propozojë një emër të ri për postin e lënë vakant nga Xhafaj, i cili është ende në detyrë, pasi Kuvendi akoma nuk ka votuar shkarkimin e tij ose po mendon skenar tjetër. Në qarkullim është ideja që Lleshi të emërohet nga Rama zv ministër i Brendshëm me mandat fuqiplotë. Ky skenar nuk do më dekret të Metës. Pas refuzimi, Rama u shfaq në një koncert në sallën COD në kryeministri dhe nuk bëri asnjë koment për këtë lëvizje të Metës që e dinte para se të bëhej publike.  

Vonesa e vendimit të Metës kishte dhe prapaskenat e saj, ku para së gjithash u fol edhe për një shkëmbim me dekretimin e Leshit dhe emrit të ri të kreut të KLSH-së.
Në të vërtetë  në mesnatë skadonte afati i Presidentit për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm, Sandër Lleshi, i propozuar nga kryeministri Rama.

Por ndërkohë që për Xhafajn, Meta firmosi menjëherë dekretin për largimin e tij, rastin e fundit e shtyu thuajse një javë deri në limitet e fundit. Sinjalet e një “jo”-je të mundshme, Meta i kishte dhënë mbrëmjen e së premtes gjatë një interviste për “Syri”.
Kryetari i shtetit theksoi se do të gjente mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur, duke shtuar se nuk do të ndikohej nga askush dhe nga asgjë as nga orët dhe sekondat, ndërsa nuk u shpreh se cilat ishin pengesat që e kishin detyruar të kërkonte kohë për të marrë një vendim.

“Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij kushtetuese për të krijuar bindje të plotë për çdo propozim që i bëhet për dekretim. Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri. Aq më tepër për një detyrë të tillë, e cila në momentin aktual kërkon akoma edhe më shumë përgjegjësi dhe vëmendje, pasi është një post politik dhe jo teknik”, nënvizoi zoti Meta.

Vitin e shkuar, ish presidenti Bujar Nishani, i cili u shfaq publikisht kundër propozimit për emërimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pranoi megjithatë se nuk kishte kompetenca për ta refuzuar atë. Por zoti Meta bëri mbrëmë një tjetër interpretim.
“Kushtetuta është shumë e qartë: Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Përndryshe, Presidenti nuk do ta kishte këtë mundësi dhe këtë instrument konfirmimi, verifikimi, kontrollimi, dhe garantimit të integritetit të çdo ministri. Ndaj dua të them që çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij, apo me mos veprimet e tij, të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri maksimale. Kështu që në këtë drejtim, askush të mos ketë dyshime që unë, përgjegjësitë e mia, sidomos, në këtë situatë do ti ushtroj në mënyrë mjaft maksimale dhe mjaft kurajoze”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë