Presidenti Ilir Meta “shpërfilli” vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe thotë se mezi po pret që të përmbyllë mandatin e presidencial më 24 korrik për të udhëhequr atë që e quan “populli i 2 marsit”.
“Nuk kam asnjë interes se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese për të shkarkuar Presidentin pse ka dhënë një intervistë televizive. Mandati do të vazhdojë deri më 24 korrik dhe mezi pres që të shpëtoj nga makinat e policisë e gjithë kjo eskortë se mezi po më pret populli i 2 marsit dhe unë mezi pres që t’i jap më të mirën time atij populli”, deklaroi Presidenti.
Me popull të 2 marsit, Meta u referohet qytetarëve që e mbështetën në protestën e thuajse dy viteve më parë. Protesta e Presidentit në atë kohë u mbështet edhe nga Partia Demokratike. Sipas Metës, qytetarët sot nuk kanë një lidership me karakter të fortë që e mban fjalën.
“Populli i 2 marsit ka nevojë për një lidership me karakter, të fortë që mban fjalën dhe që i mbrojnë edhe në mes të natës kur i nxjerrin në rrugë, siç i keni parë atje kur i nxorrën në mes të rrugës. Në zgjedhjet e para, pasi të heq kostumin e Presidentit më keni në betejë dhe Ilir Meta nuk e tradhton kurrë popullin e 2 marsit”, tha ai.
Por a është i majtë, ashtu si Presidenti, apo apo është i djathtë populli i 2 marsit? “Populli i 2 marsit i ka të gjitha”, mendon Meta.
Meta tha se zgjedhjet më 25 prill ishin të shitura dhe të trukura, ndërsa këmbënguli se 6 marsi është mundësi e mirë për të rikthyer integritetin dhe institucionin e votës së lirë.
“Rëndësia e rivendosjes së integritetit të votës së lirë në themel të të gjitha institucioneve tona, sepse është tronditur mjaft rëndë. Ky është një nga qëllimet e dekretit të 6 marsit. Inkurajoj partitë dhe qytetarët që të marrin pjesë dhe qytetarë të kenë mundësi të zgjedhin. Qytetarët të kenë më shumë respekt për votën e tyre dhe përmes pjesëmarrjes të kërkojnë llogari”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.