Lajme

Meta në OKB: Shqipëria e angazhuar për paqen e sigurinë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mbajti sot një fjalim në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm “Shndërrimi i OKB-së në një organizatë të lidhur e të përshtatshme për të gjithë popujt” ai paraqiti qëndrimin e Shqipërisë lidhur me rajonin dhe çështjet kryesore ndërkombëtare.

“Vazhdojmë ta shohim OKB-në si një instrument shumëpalësh, përmes të cilit ruhet më së miri rendi paqësor ndërkombëtar.

OKB-ja u krijua me anë të një sërë përpjekjesh të vullneteve sovrane, të cilat kanë prodhuar një trup rregullash të kodifikuara dhe praktikash të mira si zgjidhje e përbashkët për problemet e përbashkëta.

OKB-ja as nuk ka një jetë të sajën, jashtë vullnetit të anëtarëve të saj, as nuk është imune ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve që ndodhin.

OKB-ja është rritur, ndërsa bota jonë është bërë gjithnjë e më shumë globale.

Demokracia, siguria, çështjet ekonomike, zhvillimet teknologjike dhe World Wide Web, çështjet mjedisore dhe shumë të tjera, janë gjithnjë e më shumë të pranishme në axhendën e OKB-së, ashtu siç dominojnë edhe në politikat tona të brendshme.

Shqipëria ndan dhe mban përgjegjësinë e saj për të qenë aktive në këtë debat, duke i shtuar e dhënë rëndësi pjesës sonë të rruzullit”, është shprehur Meta.

Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria është pjesëmarrëse aktive në shumicën e misioneve të NATO-së në vendet e konflikteve, si në Irak, Afganistan, etj.

Fjalimi në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në diplomacinë ndërkombëtare, cilësohet si moment i rëndësishëm për shtetet dhe liderët botërorë.

Pjesëmarrja në debatin vjetor është moment kulmor ku krerët e shteteve paraqesin qëndrimin e vendeve që përfaqësojnë për çështjet e ndryshme ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë