Politike

Meta në Ditën e Rinisë falenderon vullnetarët pas tërmetit: Demokracia nuk negociohet

Në Ditën e Rinisë, Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur të gjithë ata të rinj e të reja që me përkushtimin e tyre ndihmuan dhe po vazhdojnë të ndihmojnë familjet e prekura nga tërmetii 26 nëntorit. Meta gjithsesi nuk ka harruar të nënvizojë edhe inkurajimin që u bën të rinjve për të marrë në dorë fatet politike të vendit.
“Me mijëra të reja e të rinj shqiptarë, të organizuar vullnetarisht brenda e jashtë vendit që në momentet e para të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, po udhëheqin kauzën e solidaritetit për banorët e prekur rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore e pabesë që goditi vendin. Përpjekjet e tyre të palodhura për mbledhjen e ndihmave materiale, fondeve dhe shërbimeve që po i ofrojnë komunitetit ditë-natë, janë sa emocionuese, po aq frymëzuese, dhe shembulli më konkret i Shqipërisë njerëzore për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë. Ndaj sot me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë, emër për emër, çdo vajzë e djalë, që shërben si vullnetar në shërbim të komunitetit. Jeni të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm!”, shkruan në një postim në Facebook Presidenti Ilir Meta.
“Ju inkurajoj dhe ju mbështes, që në shembullin e të rinjve dhe të rejave, të cilët 29 vite më parë vërshuan në rrugët e sheshet e Tiranës për ta ndarë Shqipërinë nga errësira dhe izolimi, të merrni në dorë, falë shpirtit të lirë, energjisë, guximit, kurajos dhe idealeve të pastra, fatet e atdheut tonë, duke udhëhequr proceset demokratike për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë dhe europianizmit të plotë të Shqipërisë”, vazhdon më tej Meta.
“Nderim përjetë veprës së liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarit dhe të gjithë studentëve të Dhjetorit '90! "E duam Shqipërinë si gjithë Europa!".
Demokracia nuk negociohet, por vetëm mbrohet dhe me çdo çmim!”, shkruan kreu i shtetit në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë