Njerez

Meta nderon me titullin “Mjeshtër i Madh” 4 futbollistë të Dinamos e Partizanit

Presidenti Ilir Meta ka një lidhje të veçantë me sportin, e ka treguar gjithmonë dhe vazhdon të vlerësojë vazhdimisht figura të shquara që kanë spikatur ndër vite. Me titullin “Mjeshtër i Madh” ai ka vlerësuar sot katër emra të njohur të futbollit shqiptar, dy ish-lojtarë të Dinamos dhe dy ish-lojtarë të Partizanit dhe Kombëtares.

Ilias Çeço dhe Faruk Sejdini janë dy ish-dinamovitët e vlerësuar me këtë titull, ndërsa nga Partizani janë vlerësuar trajneri që u riktheu titullin të kuqve, ish-mbrojtësi Skënder Gega, si dhe ish-lojtari Gani Merja, ky i fundit pas vdekjes. Në ceremoninë e dekorimit të tyre kanë marrë pjesë shumë personalitete të sportit shqiptar dhe në veçanti të futbollit.

Presidenti Ilir Meta dhe ish-lojtari e ish-trajneri i Partizanit, Skënder Gega. Gazeta Si, 5 nëntor 2019

“Mes shumë emocionesh, pata sot nderin dhe kënaqësinë të vlerësoj me Titullin “Mjeshtër i Madh” katër kampionë të futbollit shqiptar, që me dashurinë për sportin, shpirtin e ekipit, pasionin dhe krenarinë për të dhënë më të mirën për Kombëtaren Kuqezi, kanë frymëzuar gjenerata sportistësh dhe të rinjsh: Ilias Çeçon, “dirigjentin” e madh të “Dinamos” dhe Kombëtares së viteve ’60-’70; Faruk Sejdinin, mbrojtësin e jashtëzakonshëm taktik, modern dhe inteligjent të “Dinamos” dhe ekipit Kuqezi; Skënder Gegën, futbollistin kampion të “Partizanit”, por edhe trajnerin e suksesshëm që u riktheu të kuqve pas gati çerek shekulli titullin “Kampion”; dhe të paharruarin Gani Merja, lojtarin e përsosur të “Partizanit” dhe ekipit Kombëtar. Çeço, Sejdini, Gega dhe Merja janë shembuj vlerash të pamohueshme për brezat e rinj, për të kuptuar se pa sakrifica, pa pasion dhe pa profesionalizëm nuk mund ketë të sukses”, - shkruan Presidenti Ilir Meta në faqen e tij zyrtare pas ceremonisë së dekorimit të katër ish-futbollistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë