Politike

Meta: Mungesa e gjykatave po cenon të drejtat e shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta ka ringritur shqetësimin për mosfunksionimin e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese. Vonesa e tyre, sipas kreut të shtetit, cenon të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm.

“Të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj, po cenohen haptazi nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike dhe askush nuk mundet t’u thotë qytetarëve se kur do të përfundojë shqyrtimi i tyre”, thotë Presidenti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se askush nuk po mban përgjegjësi për këtë gjendje.

“Sot askush nuk mban përgjegjësi publike edhe pse vendi nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese, ku dosjet që presin radhën për shqyrtim janë bërë pirg! Reforma u bë për qytetarët dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë duhet t'i shërbejë vetëm qytetarëve”, vijon ai.

Meta kërkon që të ndërhyhet sa më shpejt që situata të normalizohet në sistemin e drejtësisë.

“Duhen marrë të gjitha masat që të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cënohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë”, thotë Presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë