Politike

Meta: Liria e medias e përkeqësuar, “Fake news” nga portalet dhe kasetat e gatshme

Presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ngre shqetësimin për përkeqësimin e lirësë së medias dhe të kushteve të punës së gazetarëve. Kreu i shtetit flet për mbyllje te emisioneve të televizioneve për shkak të presioneve politike, duke larguar nga ekranet e televizioneve figura të spikatura të gazetarisë. Ndërsa sipas tij ato janë zëvendësuar nga panelet e emisioneve politike të mbrëmjes më shumë orientohen nga interesat e oligarkëve dhe PPP-ve, se sa nga interesi publik dhe kombëtar.
“Shumë portale në të zezë e kanë ngritur "Fake News" në sistem, duke u vënë në shërbim të shtetit të propagandës. Ndërsa praktikat e "kasetave të gatshme" dhe të transmetimeve me "regji qendrore" po u imponohen gjithmonë e më shpesh televizioneve. Një nisëm ligjore "antishpifje" e propozuar nga qeveria tronditi thellë komunitetin e gazetarëve dhe organizatat botërore që monitorojnë lirinë e medias në vendin tonë”, shkruan Meta në postimin e tij.
Për presidentin "Zëri i Amerikës" dhe "Deutche Welle" vijojnë të mbeten të vetmet burime informacioni të besueshme për shqiptarët edhe 30 vite pas rënies së komunizmit, për shkak se mediat shqiptare vijojnë të trysnohen e shantazhohen, në kurriz të raportimit të lajmit të vërtetë duke humbur besueshmërinë në sytë e opinionit publik. Ai shton se pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2583357488377175/?type=3&theater


“Ndaj sot në Ditën Ndërkombëtare për t'i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve apeloj me forcë heqjen dorë nga dhuna fizike e psikologjike, kërcënimi, shantazhimi dhe çdo lloj presioni, ngado që të vijë, ndaj gazetarëve. Shpreh solidaritetin tim të plotë me ta dhe i inkurajoj të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur, në funksion të interesit publik e kombëtar, transparencës e llogaridhënies në çdo nivel shtetëror. Integriteti profesional e njerëzor i tyre të respektohet rigorozisht dhe askush të mos guxojë, për asnjë arsye të intimidojë një gazetar në krye të detyrës”, thekson Meta, i cili vë në në dukje se ende edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur autorët e sulmeve ndaj banesës së familjarëve të gazetares Klodiana Lala, apo apo rrahjes barbare të gazetarit, Elvi Fundo, edhe pse për këto dy raste pati nisur një hetim shtetëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë