Politike

Meta letër Ruçit: KED, përpjekje për të cenuar punën e Presidencës

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi një letër me të njëjtën përmbajtje si ajo e drejtuar ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku e vë në dijeni mbi pamundësinë, sipas tij, që të zgjedhë anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, pa plotësuar më parë Kuvendi vakancën që e parë të tij.

Kjo, sipas Presidentit do të binte ndesh me përcaktimet e Kushtetutës dhe për këtë ngërç fajëson Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, madje duke sugjeruar për një tentativë të qëllimshme për të cenuar institucionin e Presidencës.

Duke marrë shkas se lista e dorëzuar nga KED në Presidencë dhe Parlament përbëhet nga të njëjtët emra, Presidenti thotë se nëse ai do të zgjedhë një emër do të minonte procesin e përzgjedhjes së anëtarit të parë nga ana e Kuvendit.

"Fakti që të njëjtët aplikantë gjenden edhe në listën e Kuvendit, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/sjellë teorikisht, deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë", thuhet në letrën që Meta i dërgon Ruçit.

Meta përsërit se nuk është kompetencë e tij për të emëruar anëtarin e dytë të Kushtetueses, por sipas Kushtetutës ai duhet të zgjidhet nga Kuvendi.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët ditën e shtunë, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi tha se as KED dhe asnjë institucion tjetër nuk mund t’i imponojnë Presidentit që të shkeljë Kushtetutën, që në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është e qartë për radhën kronologjike.

“Nuk ekziston asnjë individ apo institucion sipas Kushtetutës e ligjit, që t’i imponojë Presidentit të Republikës të shkelë Kushtetutën, që në këtë rast është shumë e qartë. Kushtetuta përcakton se anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen”, deklaroi Blushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë