Politike

Meta: Kriza Kushtetuese i ka rrënjët te pakti Rama-Berisha

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e shikon krizën politike në Shqipëri të thellë dhe shqetësuese, duke kujtuar edhe faktin se e gjithë kjo situatë i ka rrënjët te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, pas marrëveshjes PD-PS, duke mënjanuar LSI-në që atëherë drejtohej pikërisht nga kreu aktual i shtetit.

Ai kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor për të shmangur një drejtim autoritar të kryetarëve të partive politike.

“Kriza është kushtetuese dhe e thellë. Rrënjët i ka të hershme dhe ato burojnë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe vazhdojnë me ndryshimet kushtetuese të para 2 viteve”, – deklaroi Meta i ftuar në emisionin “Përballë”, në RTSH.

Po ashtu Meta shtoi se nuk është një zhvillim i ri në Shqipëri mungesa e dialogut midis mazhorancës dhe opozitës.

“Qëndron edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese funksionale dhe paraliza në tërësi e sistemit gjyqësor, do të shohim se kriza është më e thellë, fillon që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Aty mund të gjejmë rrënjët e kësaj krize në tërësinë e saj, që është ashpërsuar në këto dy vite dhe sidomos në dy muajt e fundit pas këtij akti të opozitës”.

Presidenti shtoi më tej, se sipas tij, vendi ka bërë hapa pas sa i takon demokracisë parlamentare dhe hapa para drejt një liderizmi arbitrar.

“Kemi bërë hapa prapa sa i takon demokracisë parlamentare dhe kemi bërë hapa para drejt një liderizmi arbitrar. Pa ndryshuar sistemin zgjedhor, është e vështirë të ndryshosh liderët. Mos harrojmë që jemi një vend që kemi një trashëgimi autoritare dhe për shkak të këtij graviteti çdo hapësirë që mund t’i lihet liderit e çon atë drejt autoritarizmit”.

Sipas Metës, situata është bërë e padurueshme deri dhe e rrezikshme për shoqërinë dhe qytetarët në vend.

“Kjo gjendje duhet të marrë fund. Jemi në kohë për të mos shkuar drejt një konfrontimi që do të ishte i pafalshëm për të gjithë. Nuk duhet të rrezikojmë arritjet e vendit nga viti 1997 dhe në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në një normalitet kushtetues“, u shpreh Meta.

Meta ka reaguar në lidhje edhe me votimin e sotëm të Parlamentit Holandez, i cili votoi për rikthimin e vizave për Shqipërinë.

Ai theksoi se duhet bërë çmos që kjo që ka ndodhur, të mos kthehet në efekt domino edhe për vendet e tjera që të mos rikthehet regjimi i vizave me Shqipërinë.

“Nuk do të doja ta nisja si me krizën dhe me lajmin që na vjen nga Holanda. Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë, sepse në dijeninë time nuk ka ndodhur më parë që të ketë një mocion të tillë për Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë. Sigurisht është një kambanë alarmi dhe ne na duhet të japim mesazhe më të forta për krimin e organizuar që nuk është një shqetësim jo vetëm për Holandën, por edhe me vende të tjerë, siç mund të jetë Britania e Madhe, - shpjegoi Meta. - Së dyti duhet të punojmë sa me ngushtë me Komisionin Europian që të mos kemi më një situatë që mund të krijonte një perceptim negativ për Shqipërinë. Kjo na tregon që janë disa arritje që mund të jenë të cenueshme për vendin tonë. Kjo kërkon një reflektim dhe angazhim të fortë“.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë