Politike

Meta i ‘përvishet’ qeverisë edhe opozitës: Gëzoni me fitore që penalizojnë shqiptarët

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar sërish për krizën politike që ka mbërthyer vendin, duke iu “përveshur” kësaj radhe, jo vetëm qeverisë së kryeministrit Edi Rama, por edhe opozitës.

Meta nuk i ka kursyer kritikat as për maxhorancën as për opozitën mëngjesin sotëm, duke u shprehur se të gjitha palët politike po gëzohen me ‘fitoret’ që penalizojnë shqiptarët.

Ndërkohë që të gjtha bashkitë në vend kalojnë në duart e socialistëve, Kreu i Shtetit shkruan në një postim në rrjetin social Facebook se fitorja e maxhorancës dhe entuziasmi i opozitës po rrezikojnë të ardhmen e vendit.

Meta thumbon opozitën teksa thotë se shprehin entuziazëm se kanë fituar 85% të zgjedhësve, duke harruar se sikur të ishte regjistruar para shfyqizimit të 30 qershorit do kishin për vete jo më shumë se 1/4 të kësaj përqindjeje.

“Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët E kam fjalën për fitoren "e vërtetë" të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë. Por edhe entuziazmi i liderëve të opozites se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t'i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore”, shkruan Meta.

Presidenti thekson më tej se “fitorje të tilla”, duke iu referuar një termi të përdorur nga ish-diktatori Enver Hoxha, do të bllokojnë sërish hapjen e negociatatave më 18 tetor.
"Fitorje" të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurtë, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor, shton Kreu i Shtetit.

Sipas Metës, asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit vendor, i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të zgjedhurve të saj për administruar çdo pushtet.

“Viktimat e këtyre fitorjeve janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dalllime partiake.Për integrimin as bëhet fjalë, por mbetet vetëm të shpresojmë të mos na ndeshkojnë në institucionet aktuale, që merren me mbrojtjen e autonomisë vendore, demokracisë vendore dhe të drejtat e njeriu”, përfundon Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë