Politike

Kuvend-Presidencë hapin garën për dy vende bosh në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta rihapi procedurën e dorëzimit të kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese të lënë nga ish-gjyqtari, Besnik Imeraj, një ditë pasi Parlamenti hapi të njëjtat procedura për plotësimin e vakancës së lënë nga Fatos Lulo.

Imeraj ishte njëri prej gjyqtarëve që kundërshtoi procesin e vettingut. Ai u dorëhoq “për arsye personale” në fund të janarit të 2018-ës, pak ditë para se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të niste procesin e vlerësimit në kriterin e pasurisë, profesionalizmit dhe integriteti të figurës së tij.

KPK ndërpreu procesin e vlerësimit dhe dosjen e hetimit administrativ për të e dërgoi në Prokurorinë e Tiranës, e cila nuk nisi hetimit me arsyetimin se nuk gjeti vepër penale në dosjen e ish-gjyqtarit Kushtetues.

Me hapjen e garës për vakancën e lënë nga Besnik Imeraj dhe atë të Besnik Muçit në nëntor të vitit të kaluar, si dhe me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e kësaj gjykate, Presidenti Ilir Meta është drejt plotësimit të tre vendeve që emëron ky institucion në Gjykatën Kushtetuese.

Besnik Muçi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga ana e Presidentit Meta vjeshtën e vitit të kaluar. Por, ai kishte kaluar vetëm fazën e parë në procesin e vettingut në momentin që u emëruar gjyqtar. Vendimi i KPK-së u apelua dhe në Kolegjin e Apelimit, Besnik Muçi u shkarkua. Ndërkohë, vakanca tjetër e lënë nga Fatos Lulo, i pari i shkarkuar nga vettingu, i takon Parlamentit.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 4 anëtare, që janë Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari.

Kandidatët e interesuar duhet të aplikojnë brenda datës 10 tetor tek Kuvendi dhe Presidenca. Më pas, dy institucionet dorëzojnë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi emrat e kandidatëve. KED nis verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore dhe më pas rendit emrat sipas kualifikimit dhe dorëzon një listë në Presidencë dhe një në Kuvend. Presidenti duhet të zgjedhë një emër nga tre emrat e renditur të parët në listë, ndërsa Parlamenti duhet të votojë me shumicë votash një emër nga tre emrat e parë të listës së marrë nga KED.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë