Presidenti Ilir Meta në një intervistë dhënë për “Epoka e Re” deklaron se “uron që Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në partneritet dhe përgjegjshmëri të vendosin sa më parë për krijimin e institucioneve të reja qeverisëse”. Sipas tij, Kosova i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull i mirëqeverisjes në rajonin tonë.
Presidenti gjithashtu është pyetur në lidhje me nismën e minishengenit ballkanik, duke aluduar se kryeministri Edi Rama po keqpërdor dhe po tenton të “zhvlerësojë” Kosovën. Për Presidentin, çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese, që udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, që sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje, dhe që ka vetëm për qëllim integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është e mirëpritur.
“Ky duhet të jetë një parakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme. Çdo iniciativë që provokon debate të panevojshme nuk e ndihmon bashkëpunimin tonë. Askush nuk ka pse keqpërdoret për të defaktorizuar Kosovën. Prishtina ka udhëheqësit e saj të zgjedhur me votën e qytetarëve të saj. Shqipëria, për fat të keq, nuk ka se çfarë t’i mësojë Kosovës, as sa i përket shtetit ligjor, as sa i përket zgjedhjeve e pluralizmit politik, apo qoftë sa i përket demokracisë. Shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira”, shprehet Meta në intervistën e tij.
Presidenti më tej dukshëm del edhe kundër vendosjes së taksës së rrugës së Kombit të vendosur nga Shqipëria, duke kërkuar marrëdhënie me të mira mes Tiranës dhe Prishtinës. “Ju e dini qëndrimin tim për taksën e Kalimashit. Kjo është një taksë mjaft e gabuar dhe dekurajuese, duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është për Shqipërinë dhe për Kosovën ky qarkullim pa pengesa midis qytetarëve tanë. Por edhe për tregtinë, po të kemi parasysh se sa e kushtueshme është sidomos për të vënë në funksion të Kosovës edhe portet e Shqipërisë në të ardhmen. Më vjen keq kur konstatoj se mes dy vendeve tona ka aq shumë marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, por që për fat të keq janë ende shumë larg konkretizimit të tyre. Shqipëria dhe Kosova në të gjitha fushat duhet të forcojnë pa më të voglin hezitim bashkëpunimin dhe të rrëzojnë të gjitha barrierat administrative dhe burokratike”, thekson Presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



