Politike

Meta, apel Luginës së Preshevës: Merrni pjesë masivisht në zgjedhje

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat do të zhvillohen më 26 prill.

“Presidenti Meta ka bërë thirrje në vijimësi për zgjidhjen në mënyrë demokratike të të gjitha çështjeve që shqetësojnë popullsinë shqiptare të Luginës dhe të gjithë shqiptarët në Serbi. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në zgjedhje, si ato të përgjithshme, ashtu dhe lokale, është me rëndësi madhore”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, Meta u bën thirrje forcave politike shqiptare të unifikojnë qëndrimet dhe të maksimalizojnë kontributin e tyre në institucionet e ardhshme.

“Presidenti Meta inkurajon të gjitha forcat politike të Luginës së Preshevës dhe të gjithë popullsinë shqiptare kudo ku jeton në Serbi, të marrin pjesë në zgjedhje, të unifikojnë qëndrimet, në mënyrë që të maksimalizojnë rolin dhe kontributin e tyre në institucionet e ardhshme, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal”, vijon më tej deklarata.

Ndër të tjera, presidenti Meta shpreh bindjen se “pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, bashkëpunimi i të gjithë subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi”.

Në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë jetojnë rreth 88 mijë banorë, nga të cilët mbi 70 mijë shqiptarë.

Katër subjekte politike shqiptare të komunave: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë në Serbi, ranë dakord në janar që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 26 prillit me një listë të unifikuar duke bashkuar forcat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë