Do flas dhe unë

Mësuesi shqiptar i varkave në Francë: S’na duan për negociatat, por nuk do të thotë se nuk jemi gati

Erion Bebeçi është një djalë pak më shumë se të 40-at që është larguar nga Shqipëria përpara 21 vitesh drejt Italisë.

Dhjetë vite më parë ai u transferua në Montpelier, në jug të Francës. Fillimisht Erioni punoi si kuzhinier e më pas zbuloi pasionin për varkat e ndoqi shkollën për tu bërë instruktor i varkave me vela.

Ai është i bindur se Shqipëria e meriton integrimin europian.
“Ne jemi europian, duhet ti kemi sytë drejt Europës dhe të luftojmë për këtë”- thotë Erioni për gazetën “Si”.

Ai thotë se deklaratën e presidentit francez Macron që është kundër çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, nuk e ka dëgjuar, por nëse është e vërtetë, për Erionin kjo është e turpshme.

Erioni vjen rregullisht në Shqipëri për pushime dhe thotë se vendi ka ndryshuar shumë për mirë.

Ai mendon që në një të ardhme të afërt të vijë në Shqipëri dhe të investojë në profesionoin dhe pasionin e tij. “Është cikli i jetës; ikën për të mësuar, shkolluar e punuar dhe kthehesh në vendin tënd”.

Por kjo sipas tij, nuk do të thotë që nuk kemi gjëra për të bërë.
“Për biznesin që unë dua të hap, nuk ka legjislacion. Europa e zhvilluar ka punuar shumë me ligjet dhe dëshiron që të kenë pranë saj vende që kanë një legjislacion që i afrohet asaj. Por ne jemi pak larg në këtë drejtim, kështu që duhet të punojmë”- thotë Erioni.
Ai më shpjegon se në Francë nuk e ndjen e as e kupton racizmin, “kjo nuk do të thotë se nuk ekziston, por është shumë i rafinuar dhe më pak i prekshëm se në Itali. Në punë dhe në shkollë nuk e kupton”.

Por, më tregon Erioni pakkush e njeh Shqipërinë. “Gati gjysma, kur më pyesin nga jam, çuditen kur i them nga Shqipëria. Mendojnë se jemi Azi e afërme. Fatkeqësia jonë është që nuk na duan, na shohin si problem, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi gati. Jemi gati të integrohemi e të punojmë paralelisht për tu përmirësuar dhe zhvilluar”.
Erioni është optimist për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë