Arsim

Mësim online? Mësuesit njoftojnë prindërit dhe japin kodet e platformës akademi.al

Rritja e rasteve të reja me Covid-19 në vend, por në mënyrë të veçantë në shkolla, ku dhjetëra mësues kanë rezultuar pozitivë, duket se po e bën më të afërt ditën e kthimit të mësimit online. Ministria e Arsimit nuk e ka pranuar publikisht dhe zyrtarisht, por përgatitjet nëpër shkolla për një nga skenarët në zhvillim të situatës nga pandemia po bëhen. Mësuesit po komunikojnë me prindërit përmes grupeve në Whats Up, duke i dhënë kodet përkatëse për t'u antarësuar në platformën "akademi.al"

Ky është një nga komunikimet që Gazeta "Si" ka siguruar mes mësuesve dhe prindërve në shkollat e kryeqytetit.

Gazeta"Si" ka kërkuar një informacion zyrtar pranë Ministrisë së Arsimit për këtë çështje, sepse mbyllja e shkollave dhe rifillimi i mësimit online, do të thotë shumë për situatën e Covid-19 në vendin tonë, por nuk ka asnjë qëndrim publik.

Është njoftuar më herët nga Ministria e Arsimit se mësimi online do të jetë i ndërthurur me platformën "akademi.al" dhe mësimin në Radio Televizionin Shqipëtar (RTSh).
Platforma "akademi.al" ju jep mundësi nxënësve nga 3 deri në 18 vjeç të  marrin shpjegimin e mësimit dhe të dorëzojnë detyrat e shtëpisë, ndërsa platforma RTSh, jep leksione të lëndëve të ndryshme për klasa të ndryshme nga regjistrime të mësuesve që janë realizuar më herët.


Gjatë një reportazhi të ditëve të fundit nga Gazeta "Si" nxënësit dhe prindërit mes tyre kishin marrë informacion se mund t'i riktheheshin mësimit online, pa anashkaluar faktin se disa prindër ishin të mendimit që të mos i dërgonin fëmijët në shkollë.

Nga të dhënat e deri më tanishme, ka një numër të konsiderueshën mësuesish të prekur nga Covid-19 dhe ka një paqartësi të madhe për prindërit dhe nxënësit se çfarë do të bëhet më tej, ndërkaq deri më tani janë trajnuar 19 mijë mësues për funksionimin e mësimit online dhe për përdorimin e platformave.

Megjithëse kemi një mungesë të madhe informacioni nga autoritrtet vendase, studime të ndryshme jashtë kanë treguar se mësimi në shkolla nuk ka shumë ndikim në përhapjen e Covid-19.
Studimet e fundit të realizuara në Gjermani dhe Norvegji tregojnë se mbyllja e shkollave do të ishte një hap prapa për zhvillimin e nxënësve, por do të ndikonte edhe në punësimin e prindërve.
Ndërkohë që vendet e tjera realizojnë studime si do të ndikojë çdo etapë tek nxënësit dhe marrin vendime mbi të dhëna të sakta, në vendin tonë askush nuk e di çfarë do të bëhet, ndoshta as vetë Ministria e Arsimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë