Politike

Mesazhi i papritur i Bashës për revolucionin e pashmangshëm

Ai nuk është asfare i vështirë për t’u kuptuar. Përveçse kur e bën kinse. Shumë rrallë. Si rasti i një postimi të fundit në Twitter...

Në kohën kur drafti për zgjedhoren u hartua me bekimin e tij, kur flitet për mobilizim strukturash në bazë e për fitore të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Lulzim Basha, ka habitur jo pak me një postim në Twitter, kur i rikthehet aksiomës së tij të preferuar (deri para një viti) revolucionit.

“Those who make peaceful revolution impossible will make violent revolution inevitable", citon Basha, ish-presidentin amerikan.

E thënë në shqip: “Ata që e bëjnë të pamundur revolucionin paqësor do ta bëjnë të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm”.

Pyetja që lind është; çfarë po e shqetëson Lulzim Bashën?   

Një thënie e shkëputur nga një fjalim i Kennedy në mars të vitit 1962 e risjell sot nga Lulzim Basha habit jo vetëm për kohën kur thuhet, por edhe kontekstin.

John F.Kennedy foli për revolucion në përvjetorin e aleancës për progres që atëbotë në thelb simbolizonte nisjen e një bashkëpunimi ekonomik midis SH.B.A. dhe Amerikës Latine.

Në ditët e sotme, e parë ftohtë, të ngjan asfare e  kuptimtë një fjali e tillë pasi në tryezën politike (të paktën publikisht) nuk po shohim ndonjë aleancë të çfarë do lloj forme që do të deformonte apo më keq akoma përmbyste ekuilibrat politik për të shkuar më pas tek nevoja e revolucionit.

Kjo është pjesa e dukshme që edhe po na çudit. Por nën tryezë po luhet jo pak një aleancë mes mazhorancës dhe një pjese të deputetëve të opozitës parlamentare për të kaluar disa ndryshime kushtetuese që në thelb ndalojnë koalicionet parazgjedhore.

Nëse kjo ndodh, atëherë shanset e PD-se për të ardhur në pushtet nuk janë aspak optimiste. Sepse në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri, PS si forcë politike ka dalë gjithnjë e para. Dhe me këtë skemë, i lind po Edi Ramës e drejta për të formuar qeverinë e mandatit të tretë me parti të tjera, nëse nuk merr shumicën  

A e ka Lulzim Basha një formë paralajmërimi postimin e tij për këtë lëvizje, që kalon për miratim ose jo në fund të muajit Korrik nga Kuvendi? Kjo mbetet për t'u parë.

Ajo që dimë më siguri është se Lulzim Basha e përcjell ketë mesazh në një kohë krejt paqeje (ndryshe nga një vit më parë) ku në çdo takim si me fermerë apo investitorë, si me qytetarë apo banorë të zonave rurale ai po sillet si kryeministër, ku jep premtime për heqja taksash, ku thërret se do të anulojë vendime të qeverisë Rama sapo “të marrë pushtetin”, kur qan hallet me popullin për situatën në vend, e ku trumbetimet politike alla revolucionare të tij po duken si gjë e largët e kohës së shkuar, kur Lulzim Basha nuk doli aspak i fituar.

Rikthimi i tij tek tezat e revolucionit lë shumë pikëpyetje për kurbën politike në të ardhmen, që pritet të ndryshojë shpejt (fund korriku), atëherë kur Rama do të tentojë të bëjë lëvizjen e parë konkrete në favor të së ardhmes së tij në politikë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë