Futboll

Mesazhi i Kontes pas humbjes tërbon drejtuesit e Interit

Një mesazh si ai i 5 viteve me parë, kur Antonio Konte u drejtohej drejtuesve të Juventusit me shprehjen “nuk mund të hash me 10 euro në një restorant prej 100 eurosh”. I njëjti qëndrim nga trajneri italian edhe pas humbjes dramatike në Dormund, që kompromenton kalimin e grupit në Champions. “Është një plagë, që shpresoj të kenë ndjerë të gjithë”, – tha trajneri i Interit pas humbjes në “Signa Iduna Park”.

Konte është ankuar disa herë për organikën jo të plotë të futbollistëve. E tha këtë gjë edhe pas barazimit me Parmën në kampionat, ku sqaroi se zgjedhjet a merkatos nuk e kanë kënaqur dhe se pret janarin për forcimin e grupit. Fjalët e tij nuk u kanë pëlqyer drejtuesve të Interit, të cilët dolën nga stadiumi pas humbjes me Borusian shumë nervozë dhe të nxirë në fytyrë, pa dashur të komentojnë deklaratën e trajnerit. Konte pranoi se ka gabuar në disa zgjedhje. Po pse ai e ngriti zërin kaq fort pas humbjes? Janë dy arsye esenciale: e para për të spostuar vëmendjen nga ajo pjesë e dytë katastrofike e të tijve, kur “uragani” i Borusias nuk u përballua nga zikaltrit, dhe e dyta ka të bëjë me faktin se trajneri ka dashur të forcojë pozitat e tij në raport me pronarët për kërkesat që ka për përforcimet e janarit.

Antonio Konte gjatë ndeshjes me Borusian. Gazeta Si, 6 nëntor 2019

Konte ka dashur me ngulm në verë një mesfushor të fortë qendre në vend të Borja Valeros dhe një zëvendësues për Lukakun dhe për këtë rol ai ëndërron Xhekon. Deri në këtë moment, trajneri ka marrë miratimin e drejtuesve të klubit vetëm për një mesfushor, ndaj dhe të martën në mbrëmje shpërtheu ashtu. Konte është i bindur se Interi duhet të përforcohet që të jetë në gjendje të luftojë për të fituar deri në kilometrin e fundit.

 

Më Shumë