Rikthimi i Zllatan Ibrahimoviç në Itali është gjithonë e më i sigurt. Në intervistën e fundit sulmuesi suedez ka pohuar: “Shihemi në Itali”. Dhe nga fjalët e tij mund të gjendet edhe skuadra e ardhshme e 38-vjeçarit, i cili ka dhënë një mesazh të koduar: “Do të shkoj në një skuadër që duhet të fitojë sërish, që duhet të ribëjë historinë dhe që është një sfidë kundër të gjithëve”.
Nga këto fjalë të Zllatan Ibrahimoviç, te Milani shpresojnë shumë se sulmuesi do ta ribashkohet me kuqezinjtë. Zvonimir Boban dhe Paolo Maldini janë të bindur se i kanë bërë suedezit ofertën bindëse: 18 muaj kontratë dhe 6 milionë euro, 2 për 6 muajt e këtij sezoni dhe 4 për sezonin e ardhshëm. Për këtë ofertë, për ambientin e njohur kuqezi dhe për egon që ka Ibrahimoviç, gjasat janë të mëdha që ai të kthehet në Milanelo. Megjithatë, ka edhe një hipotezë tjetër për të ardhmen e lojtarit veteran.
Është Napoli i Hysajt. Klubi i presidentit De Laurentis ka shfaqur interes konkret për afrimin e Ibrahimoviç edhe kohë më parë. Në raport me Milanin, Napoli ka avantazhin që merr pjesë në Champions League. Nuk është pak për një njeri ambicioz si suedezi. Por është fakt gjithashtu që në këtë moment ambienti te Napoli është një katrahurë. Trajneri Karlo Ançeloti është në rrezik shkarkimi, skuadra nuk ka reguar javët e fundit dhe thuajse ka dalë nga gara për titullin kampion. Nuk duken kushtet e duhura për të pranuar këtë sfidë, edhe pse Championsi josh jo pak. Ka rënë poshtë përfudimisht pista e Bolonjës, por Ibra është Ibra dhe vendimet e tij nuk mund të parashikohen. Kur bëhet fjalë për të, surprizat janë gjithmonë aty afër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.