Sociale

Mesazhi i Holandës për shqiptarët: Nuk ka shanse për azil

Ministri për Migracionin në Holandë, Mark Harbers ka deklaruar se qëndrimi zyrtar i qeverisë holandeze është që të mbajë sistemin pa viza për Shqipërinë që qytetarët e saj të mund të udhëtojnë në Shengen apo BE.

Duke folur në Tiranë, ai nënvizoi se "qeveria holandeze gjithashtu është duke monitoruar dhe duke lexuar me imtësi çdo raport monitorimi, por falë edhe përpjekjeve të BE-së dhe të qeverisë shqiptare, jemi të mendimit që po ecim në drejtimin e duhur dhe duhet të ruhet sistemi pa viza".

Edhe pse foli për bashkëpunim të mirë në të gjitha nivelet me shtetin shqiptar, ai kërkoi masa më të forta nga Tirana zyrtare si me kontrollet në kufi ashtu edhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Ai shtoi se emigracioni i paligjshëm jo vetëm është një shqetësim i madh për shtetin e tij, por nga ana tjetër është një rrezik i madh për qytetarët që ndërmarrin këtë veprim.

“Harrojeni Holandën dhe Britaninë përmes Holandës, pasi gjithçka mund të merrni është një biletë kthimi drejt Shqipërisë së bashku me sanksionet për lëvizjen e lirë”, - ishte mesazhi i tij për shqiptarët, gjatë konferencës për shtyp me zv/ministren e Brendshme, Voda në Tiranë.

Harbers theksoi se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare për këtë problem deri më tani ka qenë i frytshëm, ndërsa paralajmëroi se “nuk ka shans që qytetarët shqiptarë të marrin azil drejt Holandës”.

“Shqiptarët përbëjnë gjysmën e emigrantëve që tentojnë të kalojnë në Britani. Numri i shqiptarëve që kanë aplikuar për azil këtë vit është rritur. Emigrantët e paligjshëm ka rrezik të shfrytëzohen gjatë udhëtimit të tyre”-tha ai, duke nënvizuar se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt origjine.

Ndërsa zv/ministrja Voda nga ana e saj deklaroi se qeveria shqiptare ka bërë hapa për parandalimin e fenomenit të emigracionit të paligjshëm.

“Ramë dakord për nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, përkatësisht të agjencive ligj zbatuesve që merren me çështjet e kufirit dhe migracionit. Por, natyrisht në fokus të bisedës sonë ishin kryesisht çështjet që kanë të bëjnë me fenomenet e migracionit të paligjshëm dhe të azil kërkimit. Vërejmë me kënaqësi që në dy-tre vitet e fundit, kurba e azilkërkuesve shqiptarë në fakt drejt vendeve të BE është ulur ndjeshëm por mbetet ende sigurisht shumë për të bërë, - u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë