Politike

‘Mesazhi’ i fshehur në foton e Edi Ramës

Me hashtagun “Photo of the Day”, Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale foton e radhës. Imazhi ishte shkrepur nga qendra e Tiranës. Kreu i Qeverisë shfaqet i ulur në një stol në krah të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe përballë ka Sheshin Skënderbej në një ditë me diell.

Deri këtu nuk ka asgjë jashtë fotove normale që zgjedh shpeshherë Edi Rama për të postuar në rrjetet sociale për të mbajtur në dijeni ndjekësit me përditëshmërinë e tij. Por, ndoshta brenda këtij imazhi fshihet një “mesazh”, që duhet lexuar nga Lulzim Basha.

Kreu i Qeverisë është ulur i vetëm në krah të stolit metalik dhe në të majtë ka një vend bosh, e më pas dy të rinj, në dukje çift. Me vështrimin nga Perëndimi (Bashkimi Europian) dhe sheshin Skënderbej përballë, duket se Kryeministri kërkon dikë për të ecur më tej.

“Timonin” e ka vetëm, por udhëtarë në makinën “Shqipëri” në rrugën drejt Bashkimit Europian janë të gjithë shqiptarët, e po ashtu edhe opozita. Kjo e fundit ka zbritur prej këtij autobusi dhe akuzon Ramën se e ka fituar “timonin” përmes manipulimit dhe krimit.

Nëse do të postohej në një aktualitet tjetër politik, imazhi ndoshta nuk do të gjente vend për interpretime të dyzuara, përveç atij që paraqiste vetë. Por, i publikuar në këto ditë përplasjesh të forta mazhorancë-opozitë, leximi i tij si një ftesë drejtuar opozitës për dialog qëndron. Nisur nga fakti që vetëm një vend është i lirë, ftesa i drejtohet ekskluzivisht Lulzim Bashës.

https://www.instagram.com/p/Bug2WvmA8WA/

A ka nevojë Edi Rama që t’i “ta kapë veshin së prapthi” për të dërguar një mesazh të tillë? Sigurisht që jo! Ai e ftoi edhe drejtpërdrejtë kreun e Partisë Demokratike gjatë fjalës së mbajtur në fundjavë në Samitin e Diasporës, i qortuar si për shpenzimet për organizimin, ashtu edhe për përmbajtjen, ku shumë e cilësuan si propagandë.

“Kur do të flasim?”, ishte thelbi i ftesës së Ramës. Me këto fjalë ai këmbënguli për ditë me radhë në Instagram për të biseduar me studentët, aq sa u vu në lojë nga një pjesë e madhe e profileve sarkastike dhe ironike në rrjetet sociale.

Tani, Kryeministri i është rikthyer këtij mesazhi dhe në ditët në vazhdim do të mund të mësohet nëse këmbëngulja për të biseduar me Lulzim Bashën do të jetë po aq e fortë si ajo me studentët. Këta të fundit e refuzuan vazhdimisht ftesën e kreut të Qeverisë dhe po ashtu edhe Lulzim Basha deri më tani duket i bindur për të bërë të njëjtën gjë. “Dialogoj me shqiptarët më 16 mars”, tha ai.

Në rastin e protestës së studentëve, presioni ishte i gjithë i brendshëm. Rama i druhej përshkallëzimit të lëvizjes së tyre dhe katapultimit të saj nga një protestë me kërkesa apolitike, në një tubim politik. Studentët nga ana tjetër mbajtën mbi supe barrën e presionit të Qeverisë për ta shuar protestën dhe të presionit të opozitës përmes forumeve të saj rinore për ta ndezur akoma më shumë atë.

Në rastin e opozitës, gjërat ndryshojnë. Protestat dhe vendimi i saj për djegien e mandateve ka gjithashtu dy presione. I pari është ai i mbështetësve të opozitës që kërkojnë që t’i shkohet deri në fund rrugës së nisur, ndërsa i dyti është presioni ndërkombëtar, që i kërkon opozitës që të tërhiqet nga vendimet ekstreme, e sidomos nga dhuna në protesta.

Deri më tani, opozita i është nënshtruar presionit të parë, por s’përjashtohet se me përshkallëzimin e mundshëm të presionit ndërkombëtar në ditët e javët në vazhdim ajo të bëjë një hap pas, siç kërkoi edhe Presidenti Meta dhe të ulet në tavolinë me Edi Ramën, ashtu siç ndodhi më 17 maj të 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë