Politike

Kur Meta kthen mbrapsht Ramën

Mentor Kasa - Prirja e çdo Kryeministri dhe shumice parlamentare në Shqipëri ka qenë zgjerimi sa më shumë i pushtetit. Këto prirje herë kanë patur sukses, e herë kanë dështuar në betejën e përhershme të ekzekutivit me institucionet e tjera, që Kushtetuta i sanksionon si të pavarura.

“Rojtari” i Kushtetutës konsiderohet Presidenti i Republikës dhe përveç rastit kur në këtë detyrë ishte Sali Berisha, në të gjitha herët e tjera ky pozicion nuk i ka patur “fushë me lule” raportet me qeverinë dhe mazhorancën, qoftë e majtë apo e djathtë.

Secili President ka zgjedhur “armët” e tij për t’u mbrojtur nga sulmet e vazhdueshme të mazhorancës dhe Qeverisë. Rexhep Mejdani tregohej i kujdesshëm në përzgjedhjen e termave për t’iu kundërvënë Fatos Nanos, Alfred Moisiu ishte më i drejtpërdrejtë, sidomos ndaj Sali Berishës, Bamir Topi deklaronte se “fliste me heshtje”, ndërsa Bujar Nishani edhe përmes akteve, edhe përmes gjuhës.

Po Ilir Meta? Personalisht, Presidenti i vendit nuk i është kundërvënë shumicës me deklarata të drejtpërdrejta, por fshikullimet nga zyra e tij nuk kanë munguar. Rasti më i freskët ishte deklarata e shpërndarë pas refuzimit për të dekretuar Sandër Lleshin, ku flitej për “sfidim” dhe “kohë kur Shqipëria drejtohej nga Sekretari i Parë ka përfunduar”.

Megjithatë, veç dekreteve dhe deklaratave të dala nga Zyra e Shtypit, Presidenti Ilir Meta duket se shfrytëzon edhe një “armë” tjetër, që është më e sofistikuar dhe e vështirë për t’u dëshifruar; fotografinë.

Të dielën që kaloi, ditën që Kryeministri Edi Rama do të hynte në Presidencë për të mësuar më shumë se përse nuk iu dekretua Sandër Lleshi, Ilir Meta postoi në Facebook një foto të shoqëruar me urimin për të gjithë ndjekësit e tij në këtë rrjet social. “Të dashur miq! Ju uroj një të diele të mbarë në këtë ditë plot diell”, shkruante ai.

Foto e publikuar nga Presidenti diten e diele, para takimit me Edi Ramen

Askush s’e mohohon dot se pas këtij urimi nuk fshihet asnjë mesazh i koduar, por i përçuar në të njëjtën ditë kur do të takohej me Ramën dhe ku do të merrte zanafillë dalja në sipërfaqe e përplasjes mes të dyve, gjërat ndryshojnë. Pyetjet që mund të ngrihen janë disa, e mes tyre edhe: mos ka dashur Presidenti që t’i kujtojë Kryeministrit se për të e diela ishte një ditë me diell dhe se as ai dhe as Sandër Lleshi nuk mund t’ja trazonin dot?

Me këtë logjikë, “mesazhe” të ngjashme Ilir Meta ka përcjellë edhe herë të tjera. Si adhurues i pushimeve në mal dhe ecjeve në natyrë, në dhjetor të vitit të kaluar poston një foto nga një prej udhëtimeve të tij. Postimi përkonte me Ditën Ndërkombëtare të Maleve.

“Miq të dashur, Shqipëria jonë është e mbushur me male nga më të bukurit në botë. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Maleve, të ndërgjegjësohemi për të mbrojtur e promovuar Alpet dhe malet tona, natyrën e mahnitshme, pyjet, lumenjtë e liqenet, për të ardhmen e shëndetshme të fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve”, shkruan ai në postimin shoqërues.

Edhe në këtë rast, fotoja mund të jetë pjesë e një mesazhi ndërgjegjësues, por nuk mund të merret “shabllon” për shkak sepse kjo foto, së bashku me mesazhin shoqërues mbërrinte në një prej periudhave të ndezura dhe protestave kundër HEC-eve në Valbonë dhe Vjosë, për të cilët qeveria kishte reaguar pak ose aspak deri në atë moment.

Në shtator të këtij viti, poston një foto me ish-eurodeputeten Doris Pack. “Kënaqësi e veçantë sa herë takohem me miken time dhe të shqiptarëve, Doris Pack. Energjia e saj e pashtershme dhe lidhja e veçantë me Shqipërinë, frymëzojnë gjithnjë për më shumë punë e bashkëpunim për ta çuar vendin përpara drejt Europës së Bashkuar”, shkruan ai.

Presidenti Meta me Doris Pack

Fotoja mund të konsiderohet rutinë e takimeve që Presidentit realizon në kuadër të detyrës së tij, por e postuar dy ditë pasi Doris Pack shprehej e tronditur nga situata e krimit në Shkodër mund të marrë edhe një interpretim. A mos vallë Presidenti ndan të njëjtin mendim me Doris Pack, e për pasojë edhe me opozitën për situatën e kriminalitetit në vend?

Pak ditë para kësaj fotoje, kur në Kosovë e Shqipëri, ushqyer nga Presidenti Hashim Thaçi, sapo ishte ndezur tematika e ndryshimit të kufijve me Serbinë, Ilir Meta poston foto nga pushimet në Alpet shqiptare, por duke mos u kufizuar vetëm tek pjesa brenda kufijve shtetërorë. Ai u ndal edhe në Plavë e Guci dhe në Malësinë e Rugovës. Mesazhet e përcjella në fotot e publikuara në thelb janë të njëjta: vlerëson bukuritë e natyrës, vlerat e traditat të banorëve vendas dhe fton të gjithë shqiptarët që të ruajnë këto bukuri, vlera e tradita.

Fotot mund të merren si mesazh kundërshtimi për idenë e Hashim Thaçit dhe këtë, Presidenti e konfirmon edhe përmes deklaratave kundërshtuese ndaj kësaj ideje, ndryshe nga Kryeministri Edi Rama, që nuk ja mbyll derën këtij opsioni.

Presidenti Meta ne nje foto te publikuar me 4 gusht

Në 4 gusht të këtij viti, Presidenti poston një foto pas një ecjeje të gjatë. Inkurajon të gjithë ndjekësit e tij që ta marrin ditën me optimizëm dhe të vazhdojnë përpara. Urimi në këtë rast mbërrinte në një kohë kur komisionet e vettingut sapo kishin marrë lejen verore, por brenda pak ditësh kishin asgjësuar edhe Gjykatën e Lartë.

President…sa detyrë e vështirë!

Si një prej drejtuesit e parë të PD-së Sali Berisha e ruajti kontrollin mbi qeverinë e Aleksandër Meksit dhe mbi Partinë Demokratike, madje në 1994 u përpoq që në zyrë të tërhiqtë kompetenca të zgjeruara ekzekutive përmes Kushtetutës së re. Të gjitha pengesat institucionale i kishte kaluar, por nisma e tij u ndal nga pengesa e fundit, vota popullore, që i tha “jo”.

Ish-Presidenti Sali Berisha

Pas trazirave të 1997 dhe ardhjes në pushtet të socialistëve, Sali Berisha zgjodhi të dorëhiqej nga posti i Presidentit. Ai u pasua në këtë post nga Rexhep Mejdani, më vonë nga Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani dhe së fundmi Ilir Meta.

Për të provuar se asnjëri prej presidentëve që pasuan Sali Berishën në krye të shtetit, mjafton fakti se që të gjithë ata, nuk kanë qëndruar në këtë post përtej një mandati 5-vjeçar.

Përplasjet me ekzekutivin e shumicën parlamentare gjithsecili prej tyre i ka përballuar në mënyra të ndryshme. Rexhep Mejdani punoi me 3 kryeministra socialistë, por përplasjet më të mëdha i kishte me Fatos Nanon.

Ish-Presidentet Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani

Alfred Moisiu u zgjodh si një emër i dakordësuar mes Nanos e Berishës dhe mori postin e Presidentit. Detyrën me socialistët në pushtet nuk do ta kishte të lehtë, por akoma më shumë do t’i vështirësohej me ardhjen e Sali Berishës Kryeministër. Beteja më e ashpër ishte ajo për shkarkimin e Theodhori Sollakut nga posti i kryeprokurorit. Moisiu refuzoi dhe Sollaku do të largohej nga ky post vetëm pas zgjedhjes si President të Bamir Topit.

Edhe pse i dalë nga radhët e PD-së, marrëdhëniet mes Topit e Berishës do të ftoheshin shpejt, për t’u ndërprerë plotësisht pas ngjarjeve të 21 janarit 2011, kur Kryeministri i asaj kohe e quajti “horr Bulevardi”.

Pas Bamir Topit dhe në koalicion me LSI-në, PD zgjedh si President Bujar Nishanin. Deri në 2013 detyra e tij rrodhi e qetë dhe e patrazuar. Por, me ardhjen në pushtet të PS-së dhe Edi Ramës Kryeministër gjërat ndryshuan. Raportet nisën të tensionoheshin akoma më shumë me nisjen e reformës në drejtësi, kur Nishani nuk hodhi shortin për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke argumentuar se mungonte baza ligjore.

Ish-Presidentet, Bamir Topi dhe Bujar Nishani. Foto LSA

Kulmimi i raporteve me shumicën do të mbërrinte gjatë dhe pas akuzave për Saimir Tahirin. Në disa dalje publike, Nishani kishte ngritur shqetësimet e tij edhe si kryetar i Këshillit të Sigurisë për trafikun e lëndëve narkotike. Rama e zëvendëson Tahirin me Fatmir Xhafajn. E shkuara si ish-hetues i regjimit komunist u përsërit e ripërsërit disa herë nga ish-Presidenti, por në fund ai vendosi që ta dekretojë propozimin e Kryeministrit, duke deklaruar se në të kundërtën do të shkelte Kushtetutën.

Pikërisht këtij rasti iu referua edhe Kryeministri Edi Rama në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të së martës, ku akuzoi paraardhësin e Ilir Metës se ishte një President krejtësisht partiak dhe vetë Ilir Metën se po shkelte Kushtetutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë