Lajme

Mes “Shqiponjave” dhe “FNSH”, identifikohen 7 efektivët e plagosur

Nga përplasja me protestuesit para sallës së seancave plenare të Kuvendit kanë mbetur të lënduar më rëndë shtatë efektive të uniformave blu.

Të plagosurit janë pjesë e forcave “Shqiponja” dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Forcat “Shqiponja” ishin pjesë e barrierës së parë të kaluar nga protestuesit me forcë dhe mes tyre, ka patur edhe efektive femra, dy prej të cilave janë plagosur.

Ina Nuhu, pjesë e FNSH-së, është njëra prej efektiveve, që besohet se ka humbur edhe tre gishtërinj të njërës dorë, ndërsa të plagosur kanë mbetur edhe Luljeta Osmani, Klodian Bala dhe Rezart Murati.

Nga radhët e FNSH janë plagosur efektivët Skënder Dajti, Hamid Poliqi dhe Kadri Muçolli.

Policia dyshon se në protestë janë hedhur në drejtim të efektivëve kapsolla të llojit “Zeus”, që janë kapsolla me rreze të zgjeruar shpërthimi dhe që shiten e blihen në treg vetëm me leje të posaçme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë