Njerez

Mes shakasë dhe dramës, bëmat më të mëdha të Gaskoin!

Pol Gaskoin, një emër, një garanci: një jetë në limitin e çmendurisë. Një talent i jashtëzakonshëm, me zemër të artë, por edhe i brishtë. Sa shumë i ka zbavitur tifozët në fushë dhe jashtë saj. Lojtar shumë i fortë, por edhe gjysmë i çmendur. Me sa duket, nënë natyra nuk njeh rrugë të mesme. Ish-futbollisti anglez ka bërë gjithçka në fushë dhe ka shkatërruar veten jashtë saj. Viktimë e disa veseve, nga të cilët nuk mundi kurrë të hiqte dorë. Ka dribluar kundërshtarët dhe demonët…

Gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë, pavarësisht se ishte i gëzuar apo i trishtuar. Ulje-ngritje të mëdha, një hap larg rrënimit total dhe së fundi i akuzuar edhe për dhunë seksuale. Dhe nuk është hera e parë. Në gjithë këto histori, ai mbetet sidoqoftë një futbollist që ka sjellë gëzim te tifozët, jo vetëm me aftësitë e tij të jashtëzakonshme teknike, por edhe për shakatë që bënte me shokët dhe kundërshtarët. Ja disa prej bëmave më të mëdha të Pol Gaskoin:

Gaskoin, kur luante me Totenhemin

Dëshirën për të bërë shaka, “Gaza” e ka treguar që në fillimet e karrierës. E paharrueshme një anekdodë e kohës kur luante me Totenhemin. Gjatë një ndeshjeje stërvitore, topi del jashtë fushës dhe përfundon në një pyll të vogël aty pranë. Gaskoin shkon ta marrë, por zhduket mes gëmushave. Nuk kthehet më dhe shokët fillojnë të shqetësohen. Nuk marrin asnjë lajm për të për 24 orë, derisa “Gaza”, të nesërmen del nga gëmushat duke bërtitur: e gjeta!

Gaskoin, duke i nxjerrë kartonin e kuq arbitrit

Në memorien e të gjithëve kanë mbetur edhe gjestet e tij me arbitrat. Lot pas ndëshkimit që i kushtoi shtrenjtë në “Italia ’90”. Në një ndeshje mes Gllasgou Rejnxhërs dhe Hibernians, arbitrit i bie në fushë kartoni i kuq dhe Pol e ndjek nga pas për t’ia dhënë. Por përballë arbitrit, nuk i reziston instiktit të shakasë dhe ia nxjerr kartonin në fytyrë. Arbitri nuk e fal dhe e ndëshkon. Në një rast tjetër, pas një kartoni të verdhë, ai qesh dhe tallet me arbitrin.

Një shaka e momentit nga "Gaza"


Në kohën kur luante me Gllasgou Rejnxhërs, Gaskoin ka dhënë më të mirën e vet. Pas një goli në “Old Firm”, futbollisti anglez festoi duke bërë shenjën e flautit ndaj tifozëve të Selltikut. Një tallje për festimet protestante dhe sigurisht që tifozët kundërshtarë nuk e pritën mirë. Nuk kanë munguar edhe shakatë e tij në lojë të ndaluar. Kjo foto tregon si tallet me një lojtar kundërshtar, kur loja është e ndaluar.

Gaskoin nuk ia kishte frikën askujt. Te Rejnxhërsat u bë shpejt mbreti i dhomave të zhveshjes dhe një nga ata që e kanë pësuar është edhe Rino Gatuzo, i cili, në debutimin me ekipin e madh skocez, ka marrë mesazhin e mirëseardhjes nga anglezi. Dita e parë e Gatuzos në Skoci është e paharrueshme jo vetëm për emocionet, por edhe për pritjen. Gaskoin vendosi t’i linte një kujtim të paharruar italianit në çorapet e tij. Më pas u bënë miq!

Gaskoin, kur luante me Lacion

Kur ishte pjesë e Lacios, “Gaza” ia mbathi nga grumbullimi mbrëmjen e së shtunës, pasi i kishte ardhur e fejuara nga Anglia. E kotë çdo tentativë për ta ndaluar. Të nesërmen luhej ndeshja e radhës në kampionat. Trajneri Dino Xof kujton: “Isha duke ngrënë drekë me një pjesë të stafit dhe pashë Gaskoin që u fut lakuriq në restorant. Po tamam lakuriq. Dhe ai më tha: ‘Mister, më thanë se po më kërkoje dhe nuk pata kohë të vishesha’.

Gaskoin dhe një nga fotot epike të tij



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë