Muzike

Mes operas dhe pop-it, Xhieldo Hyseni: Klasiku i Alar Band

Suadela Balliu - “Njerëzit habiten, kur më shohin në teatër. Mendojnë, “Po ky çfarë do këtu?!”, tregon Xhieldo Hyseni, i cili sapo ka dalë nga roli i oficer Zunigës, në operan  “Carmen”, vepër e cila erdhi për katër net për publikun, nga 27 deri më 30 shtator.“Pastaj u pëlqen personazhi dhe bëjnë fotografi”, vijon këngëtari, ndërsa shton, “Ka edhe nga ata që vijnë në opera vetëm se u pëlqen muzika  tjetër.” Ajo që Hyseni bën sëbashku me grupin e tij “Alar Band”  ku pesë të rinjtë nga qyteti i Elbasanit patën sukses që me daljen e tyre të parë dhe ritmet e muzikës, me nuanca vintage, por pa u ikur tendencave të kohës u bënë gati ngjitëse për këdo që i dëgjonte, duke përsëritur refrene të këngëve “Prit edhe pak”, “Amla”  “Për ty e jap free” apo “Ajo iku”. Po pak e dinë se vokalisti i grupit është në fakt një këngëtar lirik.

Xhieldo Hyseni (në qendër) me djemtë e grupit "Alar Band"

Pas hitit veror “Bonbone”,  në bashkëpunim me Çiljetën dhe turneut nëpër Shqipëri me ‘Maratonën  e Këngës Popullore” , Xhieldo Hyseni çeli sezonin e ri të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në ArTurbina me “Stabat Mater”, një kantata ku belkantoja bëhet njësh me religjiozen, simbol i poemës simfonike,  shkruar nga një prej  kompozitorëve  të shquar çekë, së bashku me solistë si Vikena Kamenica, Marina Kurti dhe Denis Skura.

Xhieldo Hyseni dhe Vikena Kamenica në natën e parë të operas "Carmen".

Me  mexosopranon Vikena Kamenica u takua sërish në skenë me kryeveprën e Bizet-së, “Carmen” një nga operat më të famshme në të gjithë botën. Ishte hera e parë që interpretonte në operan “Carmen” , në rolin e inspektorit Zuniga, në dy prej netëve të shfaqjes –në  të parën dhe të tretën –ku  veçantia e kësaj rivënieje ishte bashkëpunimi me  solistë të Teatrit Kombëtar të Operas së Serbisë e  ku dirigjent ishte vetë drejtori i këtij teatri.

“Carmen ishte një përvojë që do e mbaj mend gjatë”,  thotë Hyseni, ndërsa shton se në datat 5 dhe 6 tetor do të jetë me trupën e TKOB, në teatrin “Andon Zako Çajupi” duke e çuar operan me protagoniste ciganen joshëse,  tek publiku korçar. Nga sezoni i kaluar Hyseni, i cili sapo është diplomuar për Kanto, në nivelin Bachelor dhe ka nisur studimet Master, për të njëjtën disiplinë, veçon pjesëmarrjen në operan “Flauti Magjik”.Ky vit, zbulon këngëtari, do të jetë i ngarkuar në TKOB,  “sepse do të jem në çdo opera,  që do të vihet në skenë”, shton duke  uruar  që gjithçka të shkojë mirë.

Për ata që e dëgjojnë në opera, nëse nuk  do e dinin se është anëtar i një bande pop,  ai duket këngëtari i përkushtuar në dimensionin klasik, pa e reflektuar anën tjetër dhe po ashtu, kur këndon në festivale apo shfaqet në video muzikore, pak e dinë se në fakt ai është edhe solist në Teatrin e Operas dhe Baletit, sepse fama i ka ardhur edhe falë fuqisë që ka muzika moderne. “Në fakt shumë këngëtarë të niveleve botërore si Pavarotti apo Bocelli,  e kanë ndërthurur muzikën klasike me atë moderne”, mendon Hyseni, “Unë në fakt kam mbaruar studimet për muzikë operistike, por si i ri që jam më pëlqen edhe muzika e lehtë, që për mua është e bukur dhe interesante njëkohësisht.”

Hyseni në Stabat Mater

Tek “Alar Band”, rrëfen këngëtari “është Xhieldoja i vërtetë. Unë ashtu jam; i qeshur  e me shumë humor, ndërsa kur më jepet një rol, në opera, nuk jam më Xhieldo, por futem brenda personazhit.”Në Operan “Carmen”, vijon ai,  ishte oficeri i rreptë, por edhe gruar, Zuniga. “Që të shndërrohesha në këtë oficer, duhet të futesha në brendësi të personazhit. Ky është edhe ndryshimi mes  Xhieldos së “Alar Band” dhe atij të roleve operistike”, thotë duke qeshur.Mes suksesit popullor që garanton një grup muzikor dhe ambicies jetëgjatë të një arti më elitar, si muzika klasike, a gjendet këngëtari i ri mes një dyzimi në të ardhmen e karrierës? Përgjigjet se do t’i mbajë të dyja. “Janë emocione të ndryshme dhe njëlloj të bukura.”

Hyseni duke performuar me "Alar Band"

Grupi “Alar Band”, megjithëse i lindur nga vrulli rinor i pesë djemve, synon të jetë afatgjatë, është i bindur Hyseni, ndërsa zbulon se kanë gati dy këngë të reja, me të cilat do të konkurrojnë në “Kënga Magjike”  dhe Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, ku marrin pjesë për herë të parë.A e kanë menduar “Eurovizionin” si finalizim i ambicies së garës së festivalit të fundvitit?“Nuk e mendoj atë pjesë. Mendoj të bëhet një performancë e bukur dhe një këngë shumë e mirë”, thotë ai, duke zbuluar se do të jetë një bashkëpunim mes “Albar Band” dhe kompozitorit Elgit Doda.

"Alar Band" në një prej edicioneve të Kënga Magjike

Miqtë e grupit, me të cilët themeloi “Alar Band” gjashtë vjet më parë, duket se janë më mirëkuptuesit për kapërcimet e Xhieldo Hysenit herë nga muzika klasike e herë nga ajo moderne. “Të gjithë çunat e grupit janë diplomuar në Universitetin  e Arteve për instrumentet përkatës dhe padyshim që kam përkrahjen e tyre”.  Ky kombinim mund t’i bëjë që në të ardhmen t’i vijnë publikut surprizë me ndonjë pjesë të muzikës klasike.Akademia, tashmë i njohur si Universiteti i Arteve, ka nxjerrë ndër breza profesionistë të suksesshëm jo vetëm në skenën vendase, por edhe atë ndërkombëtare, veçanërisht në disiplinën e kantos klasike, por Hyseni nuk e sheh një karrierë jashtë vendit.

https://www.youtube.com/watch?v=jUzquC7wYTc

“Tani funksionojnë kontratat dhe mendoj se është shumë e mirë; shkon, jep shfaqje dhe kthehesh sërish. Kjo është ajo që dua të bëj”, thotë këngëtari. Krahas sezonit të ngjeshur që e gjen thuajse në çdo opera, paralelisht po mendon, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit, të nisin përgatitjet e një albumi muzikor. Por tani i duhet të hyjë edhe njëherë në lëkurën e oficer Zunigës, në operan “Carmen”, për publikun korçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë